Edhe pse ministri i jashtëm Bujar Osmani vlerësoi se ka progres në bisedimet me Bullgarinë, megjithatë thotë se ende ka çështje të hapura të cilat e pengojnë procesin e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare. Ai nuk deshi të zbulojë për cilat pika bëhet fjalë, vetëm tha se ka të bëjë me Marrëveshjen e 2017-tës dhe pakon 5+1.
“Për garancitë në pjesën e zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2017, kurse e dini se çështjet e identitetit, gjegjësisht gjuha nuk është pjesë e asaj Marrëveshjeje. Sa u përket çështjeve nga pakoja 5+1, e cila tashmë quhet pako çështjesh politike, kemi biseduar se në ç‘mënyrë dhe çka do të përmbante zgjidhja e njërës apo tjetrës pikë. Por, qëndrimet tona ende janë të ndara”, tha Osmani.
Lidhur me paralajmërimet e mundshme se Shqipëria do të kërkojë që të ndahet pakoja me Maqedoninë në qoftë se në qershor nuk sillet vendim për fillimin e bisedimeve , Osmani thotë se një gjë e tillë është e mundshme, por se kjo do ta vështirësonte pozitën tonë.
“Së pari do të krijojë perceptim te opinioni evropian se procesi në rajon po lëvizë, tani të gjithë janë të alarmuar se është bllokuar dhe tentojnë të gjejnë një zgjidhje. Në kushte të këtilla, fillimisht do të krijohet perceptim se punët janë duke u lëvizur, kurse për ne nuk do të lëvizin, dhe e dyta: ne do të mbesim të izoluar dhe nën presion edhe më të madh për të bërë kompromise më të vështira”, tha më tej Osmani.
Në emisionin e mbrëmshëm “Click Plus”, kryetari i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, tha se në Bullgari ka forca të cilat punojnë që kjo pjesë e rajonit të mbetet një “vrimë e zezë”. Osmani nuk deshi ta komentojë deklaratën, vetëm tha se pret konstruktivitet nga opozita.
“Atje ka forca që në vazhdimësi shpikin tema me qëllim që kjo pjesë e Ballkanit të mbetet vrimë e zezë në kontinentin evropian, e jo të jetë e integruar atje ku e ka vendin e saj, e kjo është në BE. Nëse Ukrainës po i ndodh agresion me tanke, Maqedonisë po i ndodh agresion politik nga Lindja”, deklaroi Mickoski.
“Mendoj se është me rëndësi që opozita të jetë konstruktive. Nuk pres ta ketë mendimin e njëjtë si ne, le të na kritikojnë, le të gjejnë mënyrë të na inkurajojnë dhe të ushtrojnë trysni mbi ne, por jo deri në atë pikë që të jetë destruktive ndaj kësaj çështjeje. Nuk mund të them se për momentin janë destruktivë”, tha Osmani.
Osmani theksoi se edhe mbledhja e fundit e Komisionit Historik që u mbajt në Sofje ka qenë e suksesshme, por deklaratën e fundit të bashkëkryetarit, Angell Dimitrov – se Maqedonia është Kali i Trojës i Rusisë, Osmani e quajti “kualifikime të rënda dhe të pabaza”. Përndryshe sot në mëngjes ministri Boçvarski, në Aeroportin Ndërkombëtar-Shkup i priti pasagjerët që mbërritën me fluturimin e parë komercial në linjën Sofje-Shkup. Me këtë fillon edhe funksionimi i rregullt i kësaj linje ajrore, që rrodhi nga marrëveshja mes komisioneve të përziera qeveritare të të dyja vendeve.