Nëse infektoheni pas 11 tetorit, nuk mund të votoni!

Të gjithë qytetarët të cilët do të dalin pozitivë ndaj Covid-19 pas 11 tetorit nuk do të mund të votojnë sepse sipas afatit ligjor, të infektuarit mund të paraqiten deri të hënën në orën 12. Prandaj, nëse mesatarisht në nivel ditor kemi rreth 400 qytetarë të infektuar me Covid-19, atëherë 2.500 votues potencialë nuk do të kenë mundësi ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës. Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Alleksandar Dashtevski, thotë se duhet të mendohet se në ç’mënyre do të votojnë ata që do të infektohen pas datës 11.

“Zgjidhja ligjore parasheh që ata të paraqiten më së voni 5 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.
-A mund të ndodhë që qytetarët të cilët do të infektohen pas 11 tetorit, të mos votojnë?
Këtë po ua them, kjo është zgjidhja ligjore, ne veprojmë sipas ligjit dhe nuk mund ta ndryshojmë.
-Domethënë, nuk do të votojnë?
Nuk e di pra, afati ligjor është që personat pozitivë të paraqiten 5 ditë para zgjedhjeve, për të tjerët do të mendojmë më vonë”.

Nesër në mesnatë skadon afati për paraqitje të personave të sëmurë dhe të pafuqishëm për votim deri te Komisionet Komunale Zgjedhore. Votuesit që janë në paraburgim shtëpiak do të mund ta realizojnë të drejtën e tyre qytetare përmes një përfaqësuesi të autorizuar pasi ta njoftojnë KKZ-në, më së voni 3 ditë para ditës së paraparë për votim – 13 tetor.

“Votimi do të jetë deri në orën 19. Ky është Dekreti i Qeverisë me fuqi ligjore. Por, ashtu siç ishin parashikimet – se deri në fund të shtatorit do të ketë ulje të numrit, mendoj se ato realizohen, ka gjithnjë e më pak të infektuar, e gjithnjë e më shumë të shëruar. Të shpresojmë se kështu do të ngelet deri në zgjedhje”, tha më tej Dashtevski.

Ndryshe, sot mbërriti edhe dërgesa e fundit me terminalet për votim në zgjedhjet e së dielës. Për herë të parë votuesit do të identifikohen me lexim të gjurmëve të gishtave. Të sëmurët dhe të pafuqishmit nuk do të kontrollohen përmes aparatit biometrik, por ata do të votojnë si zakonisht – me UV llambë dhe spërkatës.