“Nëse burri ta fut në shuplakë futja edhe ti një me aq fuqi sa ke!”

Nga Xh.Rizvani

Nëse ai ta fut në shuplakë, lëri ato përralla kalamajsh e ato numrat në pecetat higjienike për ta paraqitur dhu*nën. Janë shumë romantike dhe sentimentale . Të duhet diçka shumë reale dhe e ftohtë, futja dhe ti një me sa fuqi ke.

Nëse ai të shan dhe ofendon , shaje dhe ofendoje , mjaft i harxhove nervat dhe faculetat. Nëse vaji i burrit është kënga, le të bëhet vaji yt vallja. Kërce nëse burri këndon. Nëse ai të tradhton, çka pret ti?! Ai është lutësi , ty të lusin.
Nëse e ke falur një herë , do ta falësh përherë. Kupa jote është si çanta jote e pa fundme. S’mbushet kurrë .

Lëre burrin e keq që të malltreton, gjeje një tjetër. Ta kanë mbush kokën me moral të rrejshëm brezi i nënës që ka shkuar nuse me porosinë ” xhenazja të daltë prej aty ” . Mos e le burrin të vendos kur do të dalë xhenazja me një sëpatë kokës.

Krejt femrat që meshkujt s’kanë arritur t’i dominojnë i quajnë ”të përdala” në shenjë hakmarrjeje, ndërsa të tjerat që i kanë kënaqur apetitet e tyre i quajnë ”të lehta”, ”dorëdhëna”. Ashtu, pa pardon, si për çaj rusi flasin për gratë. ” të mira, të këqia, të rënda, të tharta, të zeza, të bardha, të ëmbla, pjeshka…”

Mos të të frikësojë fjala ”e përdalë” , është kurth mesjetar për të ta ulur kokën kur guxon të rebelohesh. S’mund ti të jesh 100 gjëra, ndërsa ata veç një gjë në krejt rastet. Edhe kur vrasin ngelin burra.
Gra, burrërohuni pak! Më mirë ”të përdala“, se viktima.
Bëja burrit atë që ta bën burri ty dhe lumturia do të vijë pa dyshim, ose emri tjetër i lumturisë ”divorci”.
Ose pasi t’ju shërohen plagët dhe të filloni të shihni nga pak, ka plotë burra tjerë që një nënë e mirë i ka edukuar.

Trimërojini gratë të sillen dhe veprojnë si burrat, se vetëm frika si prej burrave disa i ndalon të vrasin dhe të sillen mizorisht.
Trimërojini, jo ta paraqesin dhunën dhe durojnë, por të kthejnë gjithçka me të njejtën monedhë. Kusuret lahen në këtë dynja! Ka aq jetë të humbura grash në botën shqiptare, aq sa do të kishte humbje një ushtri e brishtë e madhe me një armik barbar.
“Armiqtë” s’duhet të flenë bashkë, aq më pak ta shumohen. Ikni prej tyre, braktisni një ditë e më parë!