Nëse bankat s’tregojnë solidaritet, Spasovski paralajmëron dekret (VIDEO)

Qeveria pret që bankat në vend të jenë solidarë në këtë moment, duke mos e shikuar vetëm interesin dhe fitimet e tyre. Sipas kryeministrit Oliver Spasovski, nëse nuk duan të jenë solidar, atëherë mund të miratohet një dekret me forcë juridike në çdo moment dhe të përcaktojnë se çfarë duhet të bëjnë në sistemin bankar.

“Po flasim gjithashtu edhe me Bankën Popullore dhe bankat komerciale. Kemi gjetur mekanizma për të anuluar detyrimet. Sistemi bankar është i qëndrueshëm dhe kjo është shumë e rëndësishme në këtë krizë. Mund të mburremi se kemi një nga sistemet më të qëndrueshme bankare në rajon, dhe për këtë arsye po ndërmarrim masa që do ta mirëmbajnë atë sektor bankar në këtë nivel sot dhe i cili do të jetë për të ndihmuar shtetin dhe qytetarët. Janë ofruar disa zgjidhje dhe presim të shohim se cilat do të jenë efektet. Pres që menaxhmenti i bankave në këtë moment nuk do të shikojë vetëm interesin dhe fitimet e tyre, mirëpo pak do të shikojnë qytetarët dhe shtetin. Dhe sigurisht nëse kjo nuk ndodh dhe nëse qeveria dhe unë shoh që ata nuk duan të jenë solidar, atëherë dekreti me fuqi ligjore mund të miratohet në çdo moment dhe të përcaktojë atë që duhet të bëjmë në sistemin bankar”, tha kryeministri Oliver Spasovski në konferencën për shtyp në lidhje me ofertat e bankave për anulimin e detyrimeve të kredive dhe pagesën e interesit në periudhën për të cilën pagesa është shtyrë.

Përndryshe, me dekret jepet mundësia që bankat të mund t’u ofrojnë personave fizikë dhe kompanive një ndryshim në kushtet kontraktuale. Shumica e bankave që i publikuan, ofruan anulime të detyrimeve për kreditë e qytetarëve deri në gjashtë muaj, gjegjësisht deri më 30 shtator të vitit 2020. Sidoqoftë, për anulimet bankat do të llogarisin interes të rregullt.