Nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës dhe Turqisë për furnizimin e FSK-së

Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar një marrëveshje ndërshtetërore në fushën e mbrojtjes, përkatësisht për furnizim me artikuj dhe produkte për shërbime të mbrojtjes. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ministri kosovar, Armend Mehaj, e nënshkroi këtë marrëveshje me udhëheqësin e Presidencës së Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Ismail Demir.

“Kjo marrëveshje ka rol të jashtëzakonshëm në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës. Minsitri Mehaj ka falënderuar shtetin e Turqisë për mbështetjen në fushën e mbrojtjes dhe ka thënë se një mbështetje e tillë është e rëndësishme për synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO. Turqia, vend anëtar i NATO-s, viteve të fundit e ka ndihmuar FSK-në, kryesisht përmes donacioneve.