Nënshkruhet marrëveshja financiare për ndërtimin e autostradës që lidh Nishin me Prishtinën

Pas nënshkrimi të Marrëveshjes ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator, në Washington në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump.

E sot u nënshkruan edhe Letrat e Interesit, për të ndihmuar financimin e ndërtimit të “Autostradës së Paqes”, e cila është njëra ndër pikat e marrëveshjes ekonomike të nënshkruar në Shtëpi të Bardhë.

Letrat financiare u nënshkruan nga kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Adam Boehler dhe kryetari i Bankës së Eksport-Importit, Kimberly Reed, për financimin e projektit që parashihet të lidhë Nishin dhe Prishtinën.

Boehler deklaroi se projekti do të jetë simbol i marrëdhënies së re mes Kosovës e Serbisë.

“Autostrada e Paqes do të drejtojë zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal duke lidhur Nishin dhe Prishtinën. Ai do të shërbejë gjithashtu si një simbol i fuqishëm i marrëdhënies së re, transformuese midis këtyre vendeve fqinje”.

Ai shtoi se “DFC, në partneritet me EXIM, janë angazhuar për avancimin e këtij procesi paqësor duke investuar në projekte që krijojnë vende pune dhe sjellin përfitime të qëndrueshme ekonomike për të dy vendet”.

Kryetari i Bankës së Eksport-Importit, Kimberly Reed tha se projekti në fjalë është hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Autostrada e Paqes është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit ekonomik midis Beogradit dhe Prishtinës dhe unë përgëzoj punën e Presidentit Trump dhe të gjithë administratës mbi këtë marrëveshje historike”.

Po ashtu u bë e ditur se këto dy institucione në fund të këtij muaji planifikojnë të dërgojnë delegacione në Beograd dhe Prishtinë për të çuar përpara punën në Autostradën e Paqes dhe projekte të tjera.