Nënkryetari i PDSH-së, Orhan Ibrahimi komenton kërkesën e Ahmetit për kryeministër shqiptar

Është tepër zhgënjyese, e turpshme, skandaloze, pas mashtrimit të madh historik që e bëri në vitin 2001, e që shkeli me dy këmbë zotimin që e bëri se po e bën Shqipërinë në hapësirat ku shtrihen shqiptarët. E sot, pas 19 vite që na çliroi dhe e bëri “Shqipërinë” na del me propozim të ri “kapital” për “Kryeministër”!

Skandaloze, e pa toleruar, katastofale e me përmasa tragjike për shqiptarët është sesi pas 18 vite qeverisje, i stërngopur me korrupsion dhe i zhytur në afera kombëtare e ndërkombëtare ky “lider”, vazhdon me pandjesinë dhe paturpësinë ekstreme të luaj me intelektin kolektiv tonin!

Po ç ‘rëndësi ka posti President, Kryetar Parlamenti, Kryeministër shqiptarë me këtë kornizë kushtetuese dhe ligjore?

Ky na qenka synimi ynë?!

Prioritet mbi prioritet duhet të jetë që në Maqedoninë e V. të instalohet Demokracia konsensuale.

Nuk e besoj që shqiptarët do të lejojnë këtë mashtrim të radhës. Sepse 18 vite BDI, ka lejuar diskriminimin e shqiptarëve si në mesjetë, rrënim të sistemit shëndetësor e arsimor, pushtet gjyqësor monoetnik, politik e joprofesional. Ikje masive e rinisë, mos perspektivë, momente të vrasjeve tragjike me motivacion politik, përçarje e vëllavrasje, ndjekje e burgosje politike.

I ka shitur mbi 20 miliard euro mjete buxhetore të shqiptarëve si projekte për investime në vendbanimet maqedonase në kompensim te disa miliona euro për strukturat kriminele të saja.

Në anën ku jetojnë maqedonasit është ndërtuar infrastrukturë me standarde më moderne, autostrada, rrugë rajonale e lokale, hidrosisteme, shkolla e universitete, teatro, filarmoni, palestra e objekte sportive, zona të lira ekonomike me disa dhjetëra fabrika investime të huaja, (p.sh Kavadari, qytet me 28000 mijë banorë, qeveria ka dërguar investime te huaja duke ndërtuar një fabrikë Dreksler Maer me 5338 të punësuar), ujësjellës e kanalizime, Shkupi 2014 me vlerë 1 miliard euro, Makedonsko Etniçko Sello, teleferik për në Vodno etj, etj.

Në anën shqiptare, kemi infrastrukturë mesjetare, përballemi me gjërat më elementare, asnjë metër autostradë që lidhë qytetet shqiptare me pikat kufitare të Shqipërisë dhe Kosovës, nuk kemi ujë të pijshëm, pa kanalizime, objekte shkollore te rrënuara dhe në rrënim të sipër, pa ambulanca, pa asnjë zonë të lirë ekonomike, pa asnjë fabrikë të ndërtuar si investim i huaj në ndonje qytet shqiptar, e si pasojë asnjë i punësuar.

Kurse për ndërmarrjet e fuqishme publiko-private as mos të flasim, siç janë ELEM, MEPSO, EVN, apo kompanitë e telefonive celulare, në sektorin bankar, shqiptarët përfaqësohen dhe marrin pjese me një dhe dy për qind. Diskriminim klasik, vjedhje dhe haraç ndaj qytetarve shqiptarë.

Gurbetçarët nga Maqedonia e V. si përbërje etnike janë 90% shqiptarë dhe 10% të tjerë. Kurse dy miliard euro në vjet hyjnë si remitenca nga ato. E këtë të vërtetë, as 2%  e shqiptarëve nuk e kanë të njohur. Kjo është pasojë e territ informativ, e mercenarizmit dhe argatllëkut të BDI-së dhe Alisë, që sa më lehtë të plaçkiten këto mjete të lotit e gjakut të pjesës më të ndjeshme të kombit.

Ky shfrytëzim dhe diskriminim mesjetarë, besojë dhe shpresojë janë mjaftueshëm që të kthjellemi dhe Aliun nuk duhet lejuar që të na mrekullojë dhe surprizojë me këto ide të tij “kreative”.

Orhan Ibrahimi, nënkryetar i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH)