Nënkryetari i PDK’së: Jemi të hapur për koalicion me Vetëvendosjen, por duhet të reflektojnë

Shaqir Totaj, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës ka deklaruar se partia e tij është e hapur për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, por fillimisht ata duhet të reflektojnë.

Totaj tha se përveç interesit të përgjithshëm rëndësi shumë të madhe ka dhe interesi i vetë PDK’së për një koalicion të tillë me VV’në, pasi kjo parti ka shtruar akuza të rënda në drejtim të tyre që sa vite.
“Para se në të bashkëpunojmë më Lëvizjen Vetëvendosje ata duhet të reflektojnë, duhet të largohen nga një qasje që ata tanimë e kanë bërë tradicionale e cila bazohet kryesisht vetëm në akuza dhe jo në diçka konstruktive apo pozitive për të ardhmen e vendit”, tha Totaj.

Ndër të tjera sipas Totaj reagimi i LVV-së pas vendimit të PZAP-së për moscertifikim të kandidatëve ishte një veprim që pritej pasi sipas tij kjo parti nuk i zbaton ligjet.
“Aty ku ju leverdis i respektojnë ligjet (LVV) dhe institucionet janë në rregull, aty ku nuk ju leverdis atëherë këmbngulin në një vendim që do iu leverdiste atyre, prandaj është një qasje që po e dëmton skenën politike kosovare,” – u shpreh ai.
Sa i takon marrëdhënies së PDK-së dhe Nismës, Shaqir Totaj tha se nuk ka asnjë tension midis tyre dhe fakti që partia ku ai është anëtar nuk është e gatshme për koalicione nuk do të thotë që ka probleme mes PDK-së dhe Nismës.