Nënës palestineze ia vranë djalin e paarmatosur me autizëm, ministri izraelit mjaftohet me kërkim-falje

Ministri i brendshën izraelit, Benny Gantz, ka kërkuar falje për vrasjen e një palestinezi 32-vjeçar të shtunën. Ai vuante nga autizmi dhe nuk ishte i armatosur në momentin e vrasjes.

Vrasja e palestinezit Iyad Halak në pjesën e vjetër të Jerusalemit është kritikuar ashpër dhe ka nxitur ankesa për forcën e tepërt që po përdoret nga forcat izraelite të sigurisë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Benny Gantz, i cili do të jetë edhe kryeministër me rotacion, shprehu keqardhje për këtë rast gjatë takimit javor të kabinetit qeveritar. Ai ishte i ulur afër kryeministrit të tanishëm, Benjamin Netanyahu, i cili as nuk e përmendi këtë vrasje gjatë fjalimit hyrës në mbledhje.

“Vërtet na vjen keq për incidentin ku Iyad Halak u qëllua për vdekje dhe ne e ndajmë dhimbjen me familjen. Jam i sigurt se kjo temë do të hetohet shpejt dhe do të arrihet në përfundime”, tha minsitri Gantz.

Të afërmit e viktimës thanë se ai vuante nga autizmi dhe në momentin kur u qëllua, ishte duke shkuar në një shkollë për nxënës me nevoja të veçanta, ku i ndiqte mësimet përditë.

Në deklaratën e policisë izraelite thuhet se një person i dyshimtë ishte vërejtur me një objekt në dorë që dukej si pistoletë. Kur ai nuk i ishte bindur urdhrit për t’u ndalur, policët e qlluan me armë. Më vonë, një zëdhënës i policisë tha se personit të vrarë nuk iu gjet asnjë armë.

Ndryshe, grupet palestineze dhe izraelite për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për një kohë të gjatë i kanë akuzuar forcat izraelite të sigurisë për përdorim të tepruar të forcës në disa raste, ose duke i vrarë personat që kanë mundur të arrestohen ose duke përdorur forcë vdekjeprurëse kur rastet e ushtarëve dhe policëve nuk kanë qenë në rrezik.