​Nënë Tereza duhet të jetë frymëzim për të jetuar dhe vepruar në stilin e saj

Në 112 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup ka organizuar edicionin e dytë të manifestimit tradicional kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes”. Në përvjetorin e vdekjes së Gonxhe Bojaxhiut është promovuar edhe revista e titulluar “Drita e Gonxhes”.

Në këtë manifestim, u tha se humanistja shqiptare duhet të jetë frymëzim për të jetuar dhe vepruar në stilin e saj. Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Hasani tha se Gonxhja ishte bijë shqiptare dhe se pala maqedonse tenton ta mohojë një gjë të tillë.

Hasani: Gonxhe Bojaxhiu ishte bijë e cila lindi në Shkup
“Shkupi është krenar që nga gjiri i saj doli një bijë, e cila e përçoi trashëgiminë dhe kodin e shqiptarëve mbarë botës. Gonxhe Bojaxhiu ishte bija e cila lindi në Shkup, ndërsa Nënë Tereza është figurë e botës mbarë dhe jo rastësisht ne për tre dekada që nga viti 1990 kur Maqedonia u pavarësua nga ish- Jugosllavia u ndërpre relacioni Ipeshkvisë Shkup-Prizren dhe me pavarësinë e Maqedonisë filluan edhe elementet të cilat dëshironin ta përvetësonin figurën e Nënë Terezës, por edhe të Skënderbeut. Por ne kemi bërë luftë permanente që ta mbrojmë këtë figurën e saj. Por ne ja dolëm me krijojmë institucionin e parë shkencor në botë, Departamentin e Gonxhe Bojaxhiut. Dhe me këtë mori fund çdo tendencë e palës maqedonase për ta përvetësuar këtë figurë”, ka thënë ai. Më tej, ai tha se po luftojnë për rikthimin e vlerave dhe figurës së Nënë Terezës në Maqedoni.

Hasani: Ne po zhvillojmë një luftë permanente që të mos humbin gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezës
“Ne po zhvillojmë një luftë permanente që të mos humb gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezës. Me këtë japim porosi që në qendër të Shkupit, në sheshin e Shkupit ka qenë dikur lagjja e katolikëve shqiptarë, tash nuk është. Por, ne po luftojmë me mish e me shpirt që të rikthejmë vlerat, dhe së fundmi ne me iniciativë të posaqme t’u krijojmë katolikëve shqiptarë në Shkup meshën në gjuhën shqipe”, ka shtuar ai.

Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës tha se shqiptarët duhet të frymëzohen nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës dhe t’i përngjajnë asaj në mënyrën e jetesës.

Lush Gjergji: Nënë Tereza sot është më tepër e pranishme
“Fatbardhësisht, Nënë Tereza sot është më tepër e pranishme dhe e gjallë jo vetëm në emërtimin e shkollave, spitaleve e rrugëve, por në zemrën dhe mendjen e shqiptarëve. Sepse, ajo duhet të jetë për ne bijë, motër dhe nënë e cila na frymëzon për të jetuar dhe vepruar në stilin e saj. Fyqia e saj ishte në Zotin dashuri, dhe motrën e vëllaun njeri. Para kësaj shtatoreje, para jush e kam vetëm një fjalë dhe një porosi, t’i përngjajmë Nënë Terezës. Mjaft më të themi se ajo ishte e madhe, e mirë, e mrekueshme, ajo është fytyra dhe përfaqësuesja më e denjë e traditës dhe kultura dhe qytetërimit tonë ilir dhe abrëror nga zanafilla deri më sot”, ka shtuar ai.

Drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Teuta Shala në përvjetorin e lindjes së Gonxhes, ka kujtuar humanizmin e saj.Ajo është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, për veprat e saj bamirëse. Në edicionin e dytë të manifestimit tradiconal kulturor-shkencor është promovuar revista “Drita e Gonxhes”, e cila do të ketë botime e shkrime autoriale për jetën dhe veprën e Nënë Terezës.