Nënë e bijë tani dy muaj të zhdukura, policia në kërkim

Policia për dy muaj është në kërkim të Sabina Sabedinovska dhe vajzës saj Elif Idiq të cilat rezultojnë të zhdukura nga 9 shtatori. Rasti është denoncuar në polici nga një familjar i Sabinës, banues në Shuto Orizare të Shkupit i cili i ka thënë policisë se e afërmja e tij prej 15 ditëve, praktikisht para 9 shtatorit është e zhdukur. Policia ka ndërmarrë të gjitha hapat dhe masat operative të shtrira në disa pista dyshimi. Janë njoftuar edhe organet e ndjekjes penale, por ka rezultuar që Sabina Sabedinovska dhe Elif Idiq nuk kanë lëshuar shtetin.

“Kemi realizuar disa biseda me dëshmitarë dhe familjarë, përfshirë edhe disa verifikime në terren. Janë njoftuar të gjitha pikat kufitare por është konstatuar se shtetasit S.S dhe E.I nuk e kanë lëshuar shtetin (në formë zyrtare) dhe për momentin udhëhiqen si të zhdukur”, thonë nga MPB.

Denoncuesi ka biseduar me bashkëshortin e Sabinës me të cilin kishin bashkëjetuar në Kumanovë, Derhan Kamberovski shtetas i Serbisë. I njëjti ka deklaruar se Sabina dhe vajza e saj “kanë ikur me një person të panjohur me BMW të zezë”. Këtu kanë lindur dyshimet e para për një krim të rëndë brenda familjes. Policia, jo zyrtarisht dyshon se Derhan Kamberovski i ka vrarë nënën dhe të bijën. Deri te ky informacion policia ka arritur falë një dëshmitari i cili me Derhan Kamberovskin ka biseduar derisa ky i fundit ka qenë në gjendje të alkoolizuar.

“E kam parë pak ditë para se të zhdukej. E pyeta për vajzën dhe të shoqen, më tha se ditëve në vijim do të merret vesh një gjë shumë e madhe e cila nuk ka shumë kohë që ka ndodhur”, u shpreh Dëshmitar X1.

Disa dëshmi të tilla kanë bërë që policia me urdhër të Prokurorisë të heton disa adresa. Në rrethana jo zyrtare mësohet se në shtëpinë ku kanë bashkëjetuar Derhan Kamberovski dhe Sabina Sabedinovska janë gjetur disa mjete prove, një thikë me gjak dhe me qime floku që mund të çojnë në dyshimet e bazuara për vrasje mizore dhe groposje ose fshehje të trupave të tyre në një adresë të panjohur. Në rrethana jo zyrtare mësojmë se policia për momentin është duke kontrolluar dhe po tenton t’i lokalizon numrat e telefonit të përdorur nga të përfshirët në ngjarjen penale. Megjithëse burime brenda grupit hetimor thonë se të njëjtat nuk kanë dhënë ndonjë rezultat konkret. Derhan Kamberovski mbetet i pakapshëm për policinë, ndërsa Sabina dhe vajza e saj të pagjetur. Janë vrarë ose janë arratisur, kjo akoma nuk është konstatuar, ndërkohë që Kamberovski karta penale e të cilit flet për një mori të veprave të rënda, mbetet në kërkim. /Alsat.mk