Nëna hudh foshnjën në lumin Kir, arrestohet nga policia!

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkodër, pasi një 32-vjeçare ka hedhur foshnjën e saj në lumin Kir.

Trupi i pajetë i foshnjës u gjet në lumin Kir në vendin e quajtur Postribë, pas kontrolleve gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm
Dyshohet se 32-vjeçarja e ka hedhur atë në lumë gjatë natës, ndërsa sot është arrestuar nga policia.
Oriana Gremi, banuese në fshatin Myselim e lindi foshnjën më 30 dhjetor. Ende nuk ka detaje të reja, nëse ajo vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Ajo akuzohet për veprën penale “Vrasja me dashje”, ndërsa materialet i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

“Hodhi në lumin Kir foshnjën e saj, vihet në pranga për vrasje, 32-vjeçarja. Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, bazuar në inteligjencën informative, se mbrëmjen e djeshme, një shtetase dyshohet se kishte braktisur foshnjën e saj, të seksit mashkull, të lindur më datë 30 dhjetor 2022, dhe mund ta hidhte në lumin Kir, kanë organizuar punën për verifikimin e këtij informacioni të marrë. Si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, në vendin e quajtur Postribë, në lumin Kir, u gjet i pajetë, trupi i foshnjës së 32-vjeçares e cila e kishte hedhur atë në lumë gjatë natës. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, shtetasen O. G., 32 vjeçe, banuese në fshatin Myselim. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i kësaj shtetaseje, për veprën penale “Vrasja me dashje”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme”, sipas policisë.