“Nëna foto nuk ka”, poezi e trishtë për nënën nga autori Petrit Ruka


“Nëna foto nuk ka” është një ndër pengjet më të mëdha të Petrit Rukes. Që në titullin e përfaqësuar me figurën e inversionit (duhet të ishte “Nëna nuk ka foto”, por autori e ka zhvendosur foljen në fund), ndihet dhimbja që ka autori për mungesën e fotografive të së ëmës. Aq e madhe është kjo mungesë, saqë edhe nëvarr i kanë vendosur foton e pasaportës. Ndërkohë, në kontrast me të shkuarën kur fotografitë bëheshin më rrallë, autori tani ka pranë vetes një aparat fotografik profesional, por që ndjen se nuk ka për çfarë i duhet. Me anë të tij, nuk mund t’i bëjë dot më foto të ëmës, e cila ka ndërruar jetë.

Poezia shpreh mungesën e diçkaje kur duhet dhe bollëkun e saj në një moment tjetër. Është e trishtë tëmos kesh kujtime të shkrepura në foto me prindërit. Për sa kohë i kemi gjallë, duhet të bëjmë sa më tepër foto e video me ta. Kemi fatin të jetojmë në një kohë ku çdo gjë mund të ruhet përjetë dhe t’i kujtojmë ata në çdo moment. Nëse prindërit i ke ende në jetë, nxirri sa më shumë në foto. Bëj video me ta. Një ditë do të kapë malli, do të duash t’i kujtosh e mund të mos kesh asnjë foto të tyre. Kjo gjë është padyshim e trishtë.

“Nëna foto nuk ka”
Nëna foto nuk ka veç të pasaportës
që gjendet dhe në varrin e saj, ku u fal.
Shteti veç njëherë e dërgoi fotografin
për robërit e tij
deri lart në mal…

Ja të rris dhe këtë fëmijë
unë e mjera,
Sa t’i ndërroj këto këpucë të vjetra.
Fotografi nuk kaloi më kurrë asaj ane
Qyteti më tej katër kilometra.

Kur më rriti mua, të gjashtin, rrudhat
i kishin zbritur hartën e Shqipërisë
nga balli tek mjekra,
po ajo nuk qau që unë të mos e shihja;
“Ç’e dua një foto tani…. unë e zeza?!”

E u nis një ditë pa foto për Andej,
ku nuk bëhen dot shkrepje
në errësirën e Hadit.
Dhe unë u bëra kineast, që tallja të fekste,
ta filmoja të plotë ironinë e fatit…

Mijëra foto në jetë i bëri Vjosa e kaltër
dhe kroi i fshatit
të bukurës sime,
po unë si t’i mbledh, se ato shkuan në det,
i bëri kripa e lotit cipë e thërrime…

Një aparat dymijë euro
tani mbaj në studio
dhe netëve kur dremis, besoj si i marrë,
mos më shfaqet në ëndërr e i bëj një foto
një foto nga ato që bota s’ka parë…