Nëna e 3-vjeçarit që u keqtrajtua në çerdhe: Është rrahur brutalisht, djali im ka probleme me zemër

Nëna e tre vjeçarit që dyshohet se u keqtrajtua nga edukatoret në çerdhen “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë ka rrëfyer para mediave tërë ngjarjen deri te zbulimi i rastit.

Ajo thotë se ngjarja ka ndodhur më 15 shtator dhe se djali i saj vetëm tre vjeçar e gjysmë është rrahur brutalisht dhe është tërhequr zvarrë nga dy edukatore dhe një kuzhiniere që punon aty, shkruan.

Nëna e trevjeçarit thotë se është e tmerruar dhe se rastin do ta çojnë deri në fund. Ndër të tjera ajo rrëfen se djali i saj ka lindur një problem shëndetësor në zemër, siç thotë ajo ka ka një vrimë në gjoks.

“Jam nëna e Lisit, fëmija jem është keqtrajtu më datën 15 shtator, është rrahë brutalisht dhe është tërheqë zvarrë mrena e jashtë nga tri mësuese, faktikisht dy mësuese e një kuzhiniere. Jam e tmerruar, por besoj ligji do të shkojë deri në fund. Unë si prind, si nanë e kam ba rastin publik për shkak se du me i shpëtu edhe fëmijët e tjerë që janë mrena, për shkak se besoj që është tmerr. Fëmija im ka pas ankth, shqetësim. Tash qysh kom unë si nanë, jam tepër keq. Besoj në drejtësi, besoj në ligj, në shtet dhe du me shku deri në fund, du me u arrestu – dhe nëse nuk arrestohen kemi me marrë edhe masa të tjera, kemi me ba marsh, me protestu, deri të zbulohet e vërteta e cila veç u zbulu siç e keni pa edhe vet videot. Fëmija im tri ditë ka pasë probleme me frymëmarrje, ka lindur me një problem shëndetësor, e ka një vrimë në gjyks. Nëse shtynë dhe e rrëzon, mjeku më ka thënë se duhet me pasë shumë kujdes për shkak se në në moshën 12 vjeçare duhet të ketë një intervenim për atë vrimën në gjoks që e ka.

Unë jam mësuese vet, punoj në Obiliq qe 8 vite dhe jam e shokuar, nuk kam fjalë. E kam edhe vajzën këtu, ajo po kalon shumë mirë. Për drejtoreshën nuk kam fjalë të keqe, ajo më ka përkrahë. Do ti shkojmë deri në fund. E falënderoj shumë, por edukatoret nuk janë të sjellshme”, thotë ajo para mediave.

Ajo tutje rrëfen se si e zbuloi rastin.

“Erdha me marrë djalin dhe vajzën dhe më tha mësuesja që faktikisht ishin katër mësuese se unë i kam pasë fëmijët në çerdhe privat dhe tash e dimë rrogat në Kosovë qysh janë dhe thashtë t’i çoj në të shtetit se pak më lirë. Tha mësuesja, Fitore hajde këtu se fëmija yt e ka namin. unë mendova se e ka rrëzu naj karrikë naj diçka…thashë ti kërkoj falje ose diçka, por tha është dalë ka shkarravitë nëpër koridor. Djali veç ka qajtë më ka kërku mu. Mësueses tjetër te drejtoresha i thashë të lutem pse nuk më ke thirrë mu, isha ardhë per 5 minuta e kishim marrë. Nuk më kanë tregu, nuk më kanë thirrë. Më thanë e ka ba namin, duhet me folë me fëmijë ton. Në rregull thashë se nuk e disha çka ka ba. Prej momentit që dola prej kësaj dere djali tha nuk vi në kopsht se më kanë rreth mësueset. I thashë nashta nuk është e vërtetë mam, duhet me i kërku falje mësueses, me ja ble një çokollatë, duhet me i përmbushë dënimet nëse i ke ba. Por këtu kish marrë dënime brutale. Sot djali është pak më mirë”, shprehet.

Lidhur me rastin gjatë ditës janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në koordinim me Prokurorinë dhe Qendrën për Punë Sociale, janë duke e trajtuar rastin e 3-vjeçarit, i cili dyshohet se është keqtrajtuar në kopshtin “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë nga edukatoret e këtij institucioni.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, për Reporteri.net ka thënë se nuk mund të japë detaje të tjera deri në përfundimin e fazës fillestare të hetimit.

“Policia në koordinim me prokurorinë, qendrën për punë sociale janë duke u marrë me këtë rast. Për detaje mbesim në kontakt pasi të përfundon faza fillestare e hetimit”, ka thënë ajo.

Për rastin reagoi edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. /Reporteri.net/