Nëna e 14-vjeçarit autik, tjetër sulm Ronaldos: A duhet ta takojmë vetëm sepse është ai? Djali im s’do ta shohë më me sy

Incidenti i Cristiano Ronaldos vazhdon të bëjë zhurmë (dhe do të ishte e çuditshme po të ndodhte ndryshe). Futbollisti i Manchester United, i zemëruar për humbjen e “Djajve të Kuq” ndaj Evertonit, në fund të ndeshjes theu telefonin e një tifozi të Evertonit, një djali 14-vjeçar autik të quajtur Jake.

Ai kërkoi falje për incidentin dhe ftoi djalin e familjen e tij në “Old Trafford”, por duket se nuk do të ketë pajtim. Të paktën po të dëgjosh fjalët e mamasë së Jake, e cila ka bërë të ditur se ftesa është marrë, por nuk është pranuar dhe se djali i saj nuk ka ndërmend të takohet me portugezin.

ARSYETIMET – Zonja Sarah shpjegoi reagimin e saj ndaj ftesës së Cristiano Ronaldos në rrjetet sociale për “Sky News”: “Nuk kam asgjë për t’i thënë atij. Pse duhet të shkojmë në ‘Old Trafford’? Pse duhet të shkojmë ne blutë për të vizituar një lojtar të kuq?

Nëse atij i vinte vërtet keq, të kthehej në momentin që ndodhi incidenti, t’i kthente telefonin Jake dhe t’i kërkonte falje. Gjëja që më bënte më shumë për të qeshur me mesazhin e tij ishte pjesa e sjelljes sportive, kur ka bërë një gjë të tillë me një djalë 14-vjeçar”.

NJË FAVOR – Por kjo nuk mjafton, pasi siç tha ajo për “Liverpool Echo”, është edhe çështje parimore: “Manchester United e trajtoi çështjen shumë keq dhe i përkeqësoi gjërat. Siç e shoh unë, nëse dikush do të sulmonte Jake në rrugë dhe më pas do të na ftonte për darkë, nuk do të kishim shkuar.

A duhet ta bënim këtë vetëm sepse ai është Cristiano Ronaldo? Thuajse duket sikur i detyrohemi atij për këtë nder, më vjen keq por jo. Ne i thamë jo ofertës për të shkuar të shihnim një ndeshje të Manchester United, sepse Jake nuk dëshiron të shkojë.

Ai nuk dëshiron ta shohë më Ronaldon, e tha qartë. Dhe këto janë fjalët e tij, jo të miat. Në fund të fundit ai është i vetmi që ka rëndësi. Kjo histori e ka ndikuar shumë, ndaj ai vendos. Dhe ka vendosur se nuk dëshiron të shkojë”.