Një rast i dhunës në familje është raportuar dje në fshatin Bubavec në Malishevë, ku një djalë 24-vjeçar ka sulmuar fizikisht nënën e tij.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ku bëhet e ditur se personi i dyshuar është arrestuar.
Ndërkohë burimet e Syrit brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se rastin në Polici e ka denoncuar vëllai i viktimës, përkatësisht daja i 24-vjeçarit të dyshuar (emër i njohur për redaksinë).
Sipas burimeve, ai kishte shkuar për vizitë te motra e tij në Malishevë, për t’i dërguar disa ndihma për Ramazan, ku ishte njoftuar nga viktima se 24-vjeçari ushtron dhunë ndaj saj.
Nëna nga Malisheva ka deklaruar se ka tre fëmijë dhe të ardhurat e vetme i ka nga asistenca sociale, si dhe se djali i saj 24-vjeçar, ka dy vite që ushtron dhunë të vazhdueshme ndaj saj.
Sipas saj, 24-vjeçari është duhanpirës dhe kur nuk ka para t’i japë për cigare, ai e godet me shuplakë në fytyrë nënën e tij.
Këto akuza i ka mohuar i dyshuari, i cili nuk ka pranuar se ushtron dhunë ndaj nënës së tij.
Po ashtu është intervistuar edhe vajza e viktimës, e cila ka thënë se i dyshuari herë pas here ushtron dhunë ndaj nënës së tyre, pasi që sipas saj, prindi i tyre është jo i aftë mendërisht.
Lidhur me rastin është konsultuar prokurori kujdestar, me urdhër të së cilit ndaj të dyshuarit iniciohet rasti ‘Dhunë në familje’ dhe i njëjti ndalet për 48 orë në qendrën e mbajtjes në Malishevë.