Nebi Rexhepi: “Ofrojmë transparencë të plotë në komunën e Vrapçishtit”


Kandidati për kryetar të komunës së Vrapçishtit nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Nebi Rexhepi,ka folur për platformën e tij që ofron për qytetarët e komunës së Vrapçishtit. Rexhepi ka treguar projektet kapitale që ai si kryetar pritet t’i realizojë por mbi të gjitha edhe për transparencën e plotë që ofron ai deri tek qytetarët.

Rexhepi potencoi se ai do të ofrojë transparencë të plotë në komunën e Vrapçishtit, llogaridhënie, transparencë financiare si edhe këshill komunal të hapur për qytetarët.
Rexhepi theksoi edhe se pushteti aktual nuk ofroi transparencë në komunën e Vrapçishtit, gjë që të cilën sipas tij, e premtuan pesë vite më parë.

“Pushteti aktual para pesë viteve kur ata zotoheshin për premtimet e tyre para qytetarëve, na kritikonin neve që në mandatet që ne kishim nuk kemi qenë transparencë dhe të kapshëm për atë që kemi bërë. Edhe pse ata nuk sollën transparencë deri tek qytetarët por edhe e çuan komunën e Vrapçishtit në zero transparencë, që sipas disa Instituteve vendase, komuna jonë është me transparencë më të ulët në Maqedoni. Unë si kandidat i komunës së Vrapçishtit do të jap llogari para qytetarëve për çdo qindarkë që do të hyjë dhe do të harxhohet në komunën e Vrapçishtit”, theksoi Rexhepi.