Në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës, sot u bë promovimi i romanit “Dallga e dytë” i autores Mimoza Veliu, i botuar nga Shtëpia botuese “Koha” nga Prishtina. Në këtë vepër, me një histori të trilluar, pasqyrohet një dimension shpirtëror i rrugëtimit të një gruaje nëpër rëniet e ngritjet e jetës dhe forcës për të krijuar të nesërmen edhe në moment kur gjithçka lëkundet nën këmbët e sajë.
Dekani i Fakultetit Filologjik i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Berton Sulejmani u shpreh se promovimi i librit është një rast i shkëlqyer për të krijuar një marrëdhënie të re midis shkrimtarit dhe lexuesve. “Fakulteti Filologjik i Universitetit të Tetovës, krahas punës arsimore e shkencore që e kryen në të tri ciklet e studimeve, stafi akademik prore ka mbështetur dhe do të mbështesë autorët e shkrimtarët. Andaj, edhe ky eveniment paraqet një mundësi të shkëlqyer për studentët tanë që të njihen drejtpërdrejti edhe me shkrimtarët. Kur një libër e sheh dritën e botimit, ai më nuk është pronë vetëm e shkrimtarit, por bëhet pronë edhe e lexuesit. Andaj, uroj që librin të cilin po e promovojmë sot të ketë fat të bardhë, ndërsa autores shëndet e suksese të reja”, tha dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani.
Për librin në fjalë foli edhe profesori i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Salajdin Salihu. Ai tha se libri i shkrimtares Mimoza Veliu “Dallga e dytë” është një libër që flet mbi përballjen e frikës së të kaluarës së hidhur. Sipas tij, në këtë rrëfim ka vetëm personazhe që rrezatojnë dhimbje, trishtim, dashuri dhe mirësi. “Ky libër na thotë artistikisht se jeta, përkundër vështirësive dhe fataliteteve, ia vlen që të jetohet me të gjitha rëndesat e saj, se dashuria është vlera më e madhe e njeriut, se ajo gjithçka e kthen në harmoni, se ajo na e zbulon rrugën e vërtetë, se ajo duhet të na prijë në udhëtimin jetësor”, tha Prof. Dr. Salajdin Salihu.
Autorja e librit, Mimoza Veliu tha se sy është romani i saj i parë me titullin “Dallga e dytë”, të cilin e ka shkruar para dy vitesh, gjatë pandemisë. “Kam pasur gjithmonë dëshirën për t’iu kthyer pasionit tim të vjetër, shkrimit, por meqë unë jam fotografe në Gjermani dhe e kam ditën e përmbushur me obligime të punës, kam menduar që ky pasion do të më rikthehet pas shumë vitesh, por që ra rasti edhe pata më shumë kohë gjatë pandemisë për të shkruar një histori fiktive, një histori dashurie dhe ka të bëjë më shumë me fuqitë që duhet të marr për t’i menaxhuar përditshmëritë tona. Është një roman optimist që e bën lexuesin të del i lumtur nga historia, jep kurajë për jetë, megjithëse trajton një dramë familjare, por jep kurajë për të vijuar jetën ashtu siç vjen dhe duke u munduar që të nxjerrim më të mirat prej saj”, theksoi autorja Mimoza Veliu.
“Dallga e dytë” është romani i parë i autores Mimoza Veliu. Ajo më parë ka shkruar edhe përmbledhjen me poezi “Muret rrënohen pas teje” (1999). Ajo ka lindur në vitin 1979 në Tetovë ndërsa jeton dhe punon në Berlin. Mimoza Veliu është edhe fotografe, kuratore dhe dizajnere.