Në UT u mbajt Kongresi IV Ndërkombëtar i Materialeve dhe Polimerëve

Universiteti i Tetovës, ishte nikoqir i Kongresit të IV Ndërkombëtar të Materialeve dhe Polimerëve. Ky kongres u zhvillua në bashkëpunim me Universitetin “Çanakale Onsekiz Mart” të Turqisë, Shoqatën e Kimistëve të Turqisë, Shoqatën e Kimistëve të Tunizisë, Shoqatën e Kimistëve dhe Teknologëve nga Maqedonia e Veriut, Universitetin e Tiranës, Universitetin Politeknik të Tiranës, Universitetin e Prishtinës, Universitetin për Menaxhment dhe Shkencë të Malajzisë dhe Universitetin e Sarajevës.

Në hapjen solemne të punimeve të kongresit, dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Prof. Dr. Alit Ibraimi, deklaroi se kongreset e tillë janë gjithmonë të mirëseardhur, pasi i shërbejnë kauzës arsimore-shkencore.
“Pandemia Covid 19 e bëri të veten dhe duke marrë parasysh rrethanat, Kongresi IV i Materialeve dhe Polimerëve organizohet online. Uroj që ky kongres të jetë i frytshëm për të gjithë pjesëmarrësit, si për ju që jeni duke na ndjekur drejtpërdrejtë përmes ekraneve, ashtu dhe juve që jeni pjesëmarrës brenda këtij auditori. Shoqëria jonë ka probleme të natyrave të ndryshme.

Të gjitha këto mund të fillojnë të zgjidhen duke i bashkuar shkencëtarët dhe duke ndarë njohuritë dhe përvojat e tyre. Uroj që të gjithë pjesëmarrësit të jenë sa më aktivë dhe nuk dyshoj që do të mbesin të kënaqur nga ligjëratat e profesionistëve të zgjedhur”, tha dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore, Prof. Dr. Alit Ibraimi. Bashkorganizatori i këtij kongresi dhe njëherësh prodekan i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Doc. Dr. Arianit Reka,theksoi se nga kongreset e këtillë kemi përfitime të mëdha, pasi mund të mësojmë nga përvoja ndërkombëtare e shkencëtarëve të ftuar nga vende të ndryshme të botës.

“Është hera e katërt që e organizojmë këtë kongres, por është hera e parë që e organizojmë online një kongres të tillë. Mblidhen shkencëtarë prej vendeve të ndryshme, kemi pjesëmarrës prej Japonie, Gjermanie, Spanje, Maqedonie, Irani e kështu me radhë, që janë shkencëtarë të nivelit të lartë, me hulumtime e të arritura të mëdha. Përveç tyre, kemi vizitorë, pjesëmarrës online që janë nga Turqia, Maqedonia, Bosnja, Serbia, Kosova, Shqipëria. Kemi pjesëmarrës edhe studentë të ciklit të dytë dhe të tretë, të cilët i prezantojnë rezultatet e tyre”, tha prodekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Doc. Dr. Arianit Reka.

Shkencëtarët e njohur dhe profesorët e ftuar i prezantuan punimet e tyre online, ku spikatën këto tema: “Projektimi strategjik i strukturës së bërthamës së ilaçeve – përbërjet anti-fibrozë si rezultat i ristrukturimit të bërthamës metalike të bleomicinës” nga Masami Otsuka, “Karboranët në kiminë medicinale” nga Evamarie Hey-Hawkins, “Projektimi dhe zbatimi i biosensorëve të bazuar në materialet e lidhura me grafinë” nga Arben Merkoçi,

“Projektimi i proceseve bashkëkohore të gjelbra për trajtimin e ujit të pijshëm dhe ujërave të zeza” nga Kiril Tome Lisichkov, “Polimerët me memorie të formës termikisht të induktuar” nga Metin H. Acar dhe “Pajisjet dhe sensorët elektronikë të bazuar në fibra” nga Roohollah Bagherzadeh. Për shkak të kufizimeve si rezultat i pandemisë Covid-19, ky kongres u zhvillua online dhe u fokusua në lëmin e materialeve dhe polimerëve, zbulimin në detaje të proceseve dhe problematikave të ndryshme që kanë të bëjnë me ata. Zyra për informim