Në Amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” të Universitetit të Tetovës, sot, kandidatët për Rektor, para stafit akademik dhe studentëve i prezantuan programet e tyre të punës për mandatin 3-vjeçar, 2023 – 2026.
Kandidatët, Prof. Dr. Bashkim Ziberi, Prof. Dr. Dervish Alimi, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Prof. Dr. Myqereme Rusi, para të pranishmëve në auditor i shpalosën në detaje platformat e tyre programore për mandatin e sipërpërmendur.
Ata gjatë prezantimit u fokusuan te zhvillimi akademik dhe sigurimi i cilësisë, mirëqenia e studentëve, kërkimet shkencore, bashkëpunimi me universitetet vendore, rajonale dhe ata ndërkombëtare, rritja e prestigjit ndërkombëtar të Universitetit, vijimin e investimeve në infrastrukturën universitare, kyçjen e studentëve në projekte të ndryshme ndërkombëtare, rritjen e numrit të studentëve përmes krijimit të programeve të reja studimore, rritjen e përgjegjësive sociale dhe angazhim sa më të madh me komunitetin, krijimin e instituteve të reja në kuadër të fakulteteve, si dhe shumë projekte të tjera me rëndësi.
Po ashtu, nga kandidatët u theksua se orientimi i Universitetit të Tetovës do të mbetet drejt realizimit të aktiviteteve kërkimore shkencore, si dhe avancimit në fushën e teknologjisë informatike dhe të digjitalizimit.
Të gjithë kandidatët u deklaruan se, në rast të zgjedhjes së tyre Rektor i Universitetit të Tetovës, do të angazhohen që të punojnë me nder dhe përkushtim të plotë dhe se do të vihen në shërbim të studentëve, të stafit akademik dhe Universitetit të Tetovës në tërësi.