Në Universitetin e Tetovës nesër fillon regjistrimi i studentëve të rinj për vitin akademik 2022/2023

Nga data 29 gusht e deri më 2 shtator 2022, në Universitetin e Tetovës do të zhvillohet afati i parë i regjistrimit të studentëve të rinj, për vitin akademik 2022/2023.

Në të gjitha 13 njësitë akademike të Universitetit tonë janë bërë të gjitha parapërgatitjet e nevojshme për regjistrimin e studentëve të rinj, të cilët do t’i regjistrojnë studimet e ciklit të parë në programe të ndryshme studimore që i ofrojnë fakultetet e Universitetit tonë.

Të drejtë regjistrimi në studimet e ciklit të parë kanë kandidatët, që e kanë kryer maturën shtetërore, ose maturën ndërkombëtare. Gjithashtu, të drejtë regjistrimi në ciklin e parë të studimeve kanë edhe kandidatët me shkollim të mesëm katërvjeçar, të cilët nuk e kanë dhënë maturë shtetërore, respektivisht e kanë përfunduar shkollimin e mesëm katërvjeçar para vitit akademik 2007/08 dhe gjatë gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, në vitin shkollor 2019/20. Kandidatët regjistrohen si studentë të rregullt, të financuar nga shteti dhe si studentë të rregullt me bashkëfinancim të studimeve. Në studimet e ciklit të parë mund të regjistrohen edhe studentë me korrespondencë, nëse këtë e mundëson karakteri i programit studimor.

Mënyra e seleksionimit të kandidatëve do të kryhet varësisht nga lloji i programeve studimore, në të cilët konkurrojnë ata, edhe atë: programet studimore në të cilat seleksionimi i kandidatëve do të kryhet në bazë të suksesit nga arsimi i mesëm dhe programe studimore në të cilat seleksionimi do të kryhet në bazë të suksesit nga arsimi i mesëm dhe me kontrollim të prirjeve dhe talentit të kandidatëve.

Kandidatët që dëshirojnë të aplikojnë për regjistrim në Universitetin e Tetovës, fillimisht e plotësojnë formularin online në ueb faqen: apply.unite.edu.mk / www.unite.edu.mk. Pas aplikimit në sistemin elektronik, kandidatët duhet që dokumentet t’i dorëzojnë në administratën e fakultetit përkatës, brenda afatit të caktuar, siç janë: dëftesat origjinale nga shkollimi i mesëm; diploma për kryerjen e shkollës së mesme; certifikata nga libri amzë i të lindurve; certifikata e shtetësisë; dëshmia (fletëpagesë) për pagesat e aplikimit dhe provimit pranues të cilit do t’i nënshtrohet kandidati.

Pas aplikimit online, në emailin e tyre kandidatët pranojnë konfirmim dhe linkun për aktivizimin e profilit të kandidatit që ka aplikuar, prej ku i përcjellin të gjitha fazat e shqyrtimit të dokumenteve, rangimit, rezultateve dhe regjistrimit. Profili i aplikimit mund përdoret edhe për aplikim në afatin e dytë ose të tretë.