Të premten kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i Alternativës, Afrim Gashi do të takohen për herë të katërt. Burime nga të dyja subjektet thonë se në takimin e ardhshëm pritet marrëveshje konkrete, e cila më pas duhet të filtrohet edhe në organet partiake të të dyja subjekteve dhe para partnerëve të koalicionit. Në takimin e një ditë më parë është hapur diskutim për ndarjen e resorëve, por ajo që dihet deri tani është se Alternativa këmbëngul për Ministrinë e Shëndetësisë, e cila sipas burimeve do të ketë si propozim për udhëheqës sekretarin e Alternativës, Bekim Sali. Në takimin e ardhshëm pritet të mësohet nëse pranohet ose jo nga kryeministri Zaev propozimi për ministër të Shëndetësisë.
Është diskutuar edhe për ndarjen e pozitave të eshalonit të dytë dhe të tretë, ndërsa jo zyrtarisht mësohet se Alternativa pretendon në të paktën tre zëvendësministra, disa drejtori dhe këshilla drejtues.Marrëveshja e mundshme Zaev-Gashi duhet të kalojë edhe tek partnerët e koalicionit, të cilët së fundi janë shkëputur nga koalicioni parazgjedhor për zgjedhjet lokale, por jo edhe nga shumica parlamentare.
Në kuadër të ndryshimeve rrënjësore në kabinetin qeveritar, Zaev pritet të ndanë resorë edhe për partitë më të vogla, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që edhe BDI të pëson ndryshime resorësh. Nuk do të ketë thjeshtë ndryshim të disa ministrave, por do të shkohet me versionin e ndryshimit total të kabinetit, duke filluar nga kryetari i Qeverisë, që jo zyrtarisht mandatar pritet të jetë Dimitar Kovaçevski derisa ky i fundit merr besimin e anëtarësisë së LSDM-së për kryetar partie.
Pas zgjedhjes së kryetarit të ri të LSDM-së pritet të fillojë procedura për zgjerimin e shumicës parlamentare e cila referuar afateve kushtetuese pritet të përfundojë pas festave të fund vitit, përkatësisht nga mesi i muajit janar.