Në Shkup u shpalosën 50 letrat e Nënës Terezë

E veçanta e kësaj ngjarje që ndërlidhet me promovimin e “Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezes”, e autorit Anton Nikë Berisha, është se ajo po mbahet mbi themelet e dikurshme të Kishës “Zemra e Krishtit” , një epiqendër kjo e kujtesë kolektive për shqiptarët katolikë të Shkupit, tha drejtori i ITSHKSH-së, prof.dr. Skender Asani.

Shkup, 29 gusht – Sot në amfiteatrin e Shtëpisë muze “Nënë Tereza” në Shkup, ITSHKSH promovoi librin “Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezes”, e autorit Anton Nikë Berisha. Ky libër është pjesë e veprimtarisë hulumtuese e shkencore të Departamentit për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut- Nëna Tereze dhe vjen në kuadër të manifestimit tradicional kulturor-shkencor “Drita e Gonxhë”.

Drejtori i Shtëpisë muze “Nënë Tereza” në Shkup, Naser Curri, foli për historikun e themelimit të kësaj shtëpie, duke shtuar se ajo tash më është shndërruar në qendër vizitash të shumta nga vendi dhe nga bota.
E veçanta e kësaj ngjarje që ndërlidhet me promovimin e librit “Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezes”, e autorit Anton Nikë Berisha, është se ajo po mbahet mbi themelet e dikurshme të Kishës “Zemra e Krishtit” në Shkup, një epiqendër kjo e kujtesës kolektive për shqiptarët katolikë të Shkupit, tha drejtori i ITSHKSH-së, prof.dr. Skender Asani.

“Sot kur po iu kthehemi letrave të Nënë Tereze na kujtohet Gonxhja e fëmijërisë së hershme, e cila në brezat e sotëm transmeton krenari e dinjitet, por edhe kundërvënie ndaj përpjekjeve monstruoze për ta zhbërë këtë komunitet. ITSHKSH po e rikthen mozaikun e copëzuar të një memorie që po nxjerr në sipërfaqe strategjinë e rivlerësimit të trashëgimisë kulturore e shpirtërore të katolikëve shqiptarë, në krye me bojaxhinjtë e Shkupit”, nënvizoi Asani.
Redaktori i këtij libri, Emin Azemi, duke folur për rëndësinë që kanë letrat e Nënë Tereze, shtroi pyetjet: A ka mundur Nëna Tereze të mjaftohej me punët që ajo bëri në shërbim të njeriut dhe Hyjit, pa pasur nevojë të shkruaj letra? Çka e nxiti atë të shkruaj letra dhe pse ajo letrat i konsideronte si pjesë të misionit të saj të shjenjtë?
Përgjigjen më të mirë si duket e ka dhënë Kanti, , tha Azemi, i cili teksa zbërthen natyrën filozofike e letrare të letërkëmbimit, thoshte se ata që shkruajnë letra synojnë përjetësinë, sepse ata shkruajnë përtej caqeve të kohës së shkruesit.
“Edhe Nëna Tereze, siç mund ta vërejmë edhe në këto 50 letra të përzgjedhura me kujdes nga Anton N Berisha, doli përtej kohës kur i shkroi letrat, madje përtej hapësirës, sepse ajo vazhdon t’i thyej kufinjt kohor e hapësinor tash e në të ardhmen.

Nëse i bëjmë një zbërthim teorik natyrës së letërshkrimit do të vërejmë se më tepër sesa një letër drejtuar tjetrit, letërshkruesi ka nevojë të shkruaj fillimisht për vetveten dhe ia drejton vetvetes. Nëna Tereze shkoi përtej këtij postulati teorik, pasi që në letrat e saj gjejmë një shtytje të brendshme për të njësuar vetveten me shqetësimet dhe vuajtjet e tjetrit dhe ajo fundja këtë nuk e bënte pse kishte dëshirë, por pse nuk e ndiente veten të liruar shpirtërisht nëse nuk shprehte dashurinë e pazakonshme për Hyjin, e cila, siç e thotë edhe autori, provohet në mënyrë të pandërmjetme me dashurinë dhe me flijimin për njeriun”, nënizoi Emin Azemi.
Shkrimtari dhe artisti figurativ Gani Bytyçi tha se libri i Anton Nikë Berishës vjen si një thesar që mbart opusi i letrave të Nënë Tereze, duke veçuar me këtë rast letrën e fundit të cilën ajo e kishte shkruar sa ishte në shtratin e vdekje. Fuqia e porosisë së kësaj letre qëndron në faktin se Nëna Tereze edhe në minutat e fundit të jetës po mendonte për fatet e atyre që po i linte pas.

Studiuesi dhe shkrimtari Anton Nikë Berisha, duke folur në cilësinë e autorit tha se Nëna Tereze dëshmoi mishërimin e thellë të dashurisë dhe të flijimit të saj për të varfërit dhe të brakisurit, pa dallim se kush ishin dhe nga vinin.

“Prejardhjen e vet shqiptare Nëna e përmend në disa raste të veçanta. Kështu në letrën e 7 shkurtit të vitit 1947 drejtuar cardinal prefektit të Kongregatës së henjtë për beimtarët e romës, ku kërkonte lejen për të dale nga rendi i Loretos, të shekullarizohej, në mënyrë që të merrej vetëm me të varfërit e më të varfërve, me jetimët dhe me të gërbulurit, e përmend prejardhjen dhe emrin e vajzërisë. Në këtë letër, Nëna shkruante: “Kam hyrë në Institutin e së Lumes Mari Virgjër në tetorin e vitit 1928; më 1931 i kam bërë kushtet e para, ndërsa ato të pjekurisë më 1937 në Darjeeling. Punoj në Indi (Bengala) nga viti 1931. Jam e lindur shqiptare, por kam jetuar me prindërit e mi në Jugosllavi”, saktësoi Berisha.