Në shkollën e mesme medicinale kapen 5 nxënës me drogë!


“Kemi bërë hulumtime pas raportimeve të policisë se janë kapur nxënës me lëndë narkotike dhe janë gjithsej pesë nxënës. Tre prej tyre janë të viteve të treta, një është viti i katërt dhe një është viti i parë dhe stafi pedagogjik i shkollës ka shqiptuar masat konform statutit të shkollës, pra nxënësit janë përjashtuar”, informon drejtori i shkollës së mesme “Nikolla Shtejn”

Urim HASIPI

Tetovë, 28 dhjetor – Pesë nxënës janë përjashtuar nga shkolla e mesme e mjekësisë për shkak se tek ata është gjetur lëndë narkotike. Masat pedagogjike janë ndërmarrë pas konstatimit se të njëjtit janë kapur në ambientet shkollore me marihuanë, ndërsa edhe pse njëri prej tyre ka ankimuar vendimin e shkollës, megjithatë stafi pedagogjik nuk është tërhequr nga vendimi i mëparshëm. Këtë e ka bërë të ditur Binas Pajaziti, drejtor i shkollës së mesme të mjekësisë “Nikolla Shtejn” në Tetovë. “Kemi bërë hulumtime pas raportimeve të policisë se janë kapur nxënës me lëndë narkotike dhe janë gjithsej pesë nxënës. Tre prej tyre janë të viteve të treta, një është viti i katërt dhe një është viti i parë dhe stafi pedagogjik i shkollës ka shqiptuar masat konform statutit të shkollës, pra nxënësit janë përjashtuar. Kemi pasur një ankesë nga vetëm një nxënës në Këshillin e shkollës dhe Këshilli i shkollës e ka konfirmuar vendimin e mëparshëm”, tha Pajaziti.

Kohëve të fundit është rritur dukshëm bashkëpunimi ndërmjet policisë dhe shkollave të mesme për të parandaluar përdorimin e lëndëve narkotike nga ana e nxënësve. Ky bashkëpunim është rritur edhe me kërkesë të Sektorit për arsim në Komunën e Tetovës me qëllim që ky fenomen të mos del jashtë kontrollit. Problemet janë se, edhe jashtë oborreve shkollore, ka përdorim të lëndëve narkotike.

“Është pak komplekse, sepse tendenca për përdorimin e lëndëve narkotike është një problem më i madh, sepse ka të bëjë me institucionet tjera si policia e kështu e me rradhë. Ne i bëjmë të gjitha procedurat e rregullta, marrim masa parandaluese, mirëpo rastet e konfirmuara kohëve të fundit dëshmojnë të kundërtën, sepse arrijnë të infiltrohen në mënyra të ndryshme. Është një fenomen në rritje dhe duhet të gjithë, shoqëria së bashku me institucionet, ta luftojnë këtë dukuri” , tha drejtori Pajaziti. Në këtë drejtim, rol të rëndësishëm duhet të luajnë edhe prindërit. Sipas psikologëve, prindërit duhet që vazhdimisht të mbajnë nën kontroll fëmijët se çka mbajnë në xhepa dhe në çantat shkollore, sepse në të kundërtën mos kontrolli ndaj fëmijëve çon të njëjtit në rrugë devijuese. Me rëndësi është që prindërit të kenë kontroll se edhe me kë shoqërohen fëmijët e tyre. “Padyshim që duhet të shtohet kontrolli i prindërve duke filluar nga ajo se çka ka në çantë fëmija kur shkon në shkollë dhe kur kthehet nga shkolla. Gjithçka duhet të jetë nën kontroll, prindërit me fëmijët duhet të bisedojnë lirshëm, të jenë më të afërt, sepse askush nuk është më i afërt se prindërit”, thotë Nora Kasa-Veseli, psikologe.

Psikologët thonë se kur kujdestarët e nxënësve vërejnë çrregullime dhe sjellje jo të zakonshme tek nxënësit, të njëjtit thirren në bisedë, por kjo nuk mjafton, sepse duhet një bashkëpunim më i madh mes institucioneve që kjo dukuri të largohet nga shkollat.