Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, ka publikuar dy fotografi, ku tregohen nxënës të një shkolle në një fshat në Skrapar, që hanë mish të pjekur në klasë.
Boçi e konsideron këtë fakt një skandal për Ministrinë e Arsimit.
“Fotot e mëposhtme të bëra në shkollën 9 vjeçare Zhepë, Skrapar ma “ndryshuan” tërësisht opinionin. Ministria duket hapur këtu që është “gjeniale” dhe shumë “serioze”.Shpikjet e saj nuk shterojnë asnjëherë. “Mësojmë me hell në dorë” quhet kjo nisma më e re e Ministrisë, e cila shoqërohet me iniciativën e Qeverisë: “Ndalohet alkooli jashtë shkollave… e lejohet brenda”. Jemi në epokën e klasave digjitale pra, të Ramës e Linditës, “ku vlon mishi e rakia, tym e flakë të bëhet dija”. Faktet ulërasin”, shkruan Boçi.
Ai vijon më tej në postimin e tij duke thënë se aty shpërndahet edhe “mall”.
“Institucionet tona arsimore janë degraduar tashmë jo vetëm fizikisht, por dhe moralisht në pjesën dërmuese të tyre. Tani në shkollat tona “të gjeneratës së re”, ndodh gjithçka. Aty dhe shpërndahet “mall”, siç tregojnë shumë denoncime të nxënësve e prindërve, bëhen dhe mbledhje partie, por dhe njëkohësisht hahet e pihet qelepir e bëhet aheng për shtatë palë qejfe. Shkolla së fundmi është dhe gjelltore dhe thertore dhe han me katër”.