Në Qafëthanë parandalohet kontrabanda e 53.3 kilogramëve marihuanë, destinacioni përfundimtar i së cilës ishte Maqedonia

Në pikën kufitare të Qafëthanës, në kufirin shqiptaro-maqedonas, policia parandaloi kontrabandën e 53.3 kilogramëve marijuanë, destinacioni përfundimtar i së cilës ishte Maqedonia e Veriut.

– Në kuadër të aksionit policor u arrestua 46-vjeçari Elton Grabocka, banues në Korçë, i cili drejtonte mjetin tip “Volkswagen” ku fshihte drogën e ndarë në disa pako. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasia e drogës, automjeti dhe dy aparate celularë, thuhet në njoftimin e policisë.

Shtohet se hetimet në bashkëpunim me kolegët maqedonas po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe arrestimin e personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë.

Sipas policisë, Grabocka u arrestua në vitin 2020 për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit, pasi u kap duke transportuar emigrantë drejt Tiranës.