Në Prilep zyrtarisht dy të prekur me virusin korona, enigmë se sa ka të tjerë

Në Prilep janë paraqitur dy raste të reja të sëmurit nga virusi korona, të cilët tanimë janë transferuar në Klinikën Infektive në Shkup. Dy bashkëshortë, janë të infektuar nga djali i tyre, i cili para ca kohësh është kthyer nga Kopaonik.

“Të dy të prekuri ashtu siç kam marrë informata janë në gjendje të mirë shëndetësore. Apeloj deri te qytetarët që kanë pasur kontaktin më të vogël me personat e prekur nga virusi korona t’i ndërmarrin masat e nevojshme”, porositi kryetari i Komunës, Ilija Jovanovski.

Informatat jozyrtare për këtë rast thonë se djali i të prekurve ka qenë në një vend pune ku ka pasur kontakt me shumë qytetarë. Shërbimet e autorizuara i kanë ndërmarrë masat që të zbulojnë se sa persona kanë qenë të ekspozuar ndaj rrezikut me këtë rast. Po bëhen anketa dhe po merren njerëzit në pyetje.

Komuna e Prilepit edhe më tej është nën masa rigoroze për mbrojtje nga virusi korona. Tregu i gjelbër nuk do të punojë, transporti publik është ndaluar. Vazhdon dezinfektimi i rrugëve. Kontrollohet dhe dezinfektohet çdo automjet që hyn në qytet nga 4 hyrjet. Në vetëizolim janë 170 qytetarë.