Dy herët e fundit kur qyteti i Tetovës u përball me mungesë të ujit të pijshëm për shkak të defektit në gypin kryesor të ujësjellësit, kanë bërë që autoritetet e Komunës së Tetovës të mendojnë edhe një ndërhyrje në këtë rrjet. Problemet u shfaqën pas rrëshqitjes së tokës si pasojë e tërmeteve, me ç’rast u dëmtua gypi kryesor i ujësjellësit në vendin e quajtur Leshnicë. Kësisoj, këta dy defekte kanë bërë që Komuna e Tetovës dhe Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” të mendojnë për një zgjidhje që nuk do të shkaktonte probleme në të ardhmen gjatë furnizimit me ujë të pijshëm për banorët.
Zgjidhja shihet që të spostohet traseja aktuale ku toka është më e qëndrueshme, pohon Xhelal Ceka, drejtor i Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova”. Sipas tij, ky intervenim pritet që në të ardhmen të mos shkaktojë probleme të kësaj natyre gjatë furnizimit me ujë të pijshëm për qytetin e Tetovës. “Duhet që shkojmë 100 metra më lart nga vendi aktual ku është gypi në atë pjesë, ku toka është më e fortë dhe nuk është e rrëshqitshme. Bëhet fjalë për një trase të gjatë prej 120 metrave dhe shpresoj që këtë intervenim ta bëjmë në pranverë apo kah fundi i muajit prill, që mos të kemi probleme të cilat u shfaqën kohëve të fundit me ujin në Tetovë” deklaroi Ceka. Tetova deri në vitin 2017 kishte probleme serioze me ujin e pijshëm dhe pas një odiseade prej gati se 17 vitesh me rrjetin e ujësjellësit, ishte lëshuar në përdorim rrjeti i ri i furnizimit me ujë të pijshëm që banorët e Tetovës të kenë ujë të mjaftueshëm. Por, edhe pas lëshimit në përdorim të ujësjellësit të ri, periudha që pasoi kishte edhe shumë probleme. Disa herë, ujë ka shije jo të mirë kurse së fundmi problemet në gypin kryesor tregojnë se problemi me ujin e pijshëm në këtë qytet ende nuk është zgjidhur.
Problemet në ujësjellësin e Tetovës datojnë që kur i njëjti ishte projektuar në vitet e 30-ta pasi që atëherë Tetova kishte dukshëm numër më të vogël të banorëve. Rrjeti atë kohë ishte projektuar që të sillte në qytet 100 litra ujë në sekondë, kurse me kalimin e viteve dhe me rritjen e numrit të banorëve, kjo sasi ishte e pamjaftueshme. Tash Tetova ka mbi 80 mijë banorë dhe krahas rritjes së numrit të banorëve po ashtu janë shtuar amvisëritë, dhe nevoja për furnizim me ujë për këtë qytet është dyfish më e madhe se në të kaluarën. Aktualisht qyteti i Tetovës furnizohet me 350 litra ujë në sekondë, që është e mjaftueshme për të furnizuar banorët. Nga ana tjetër, edhe njëherë është bërë apel që qytetarët të mos keqpërdorin ujin e pijshëm dhe të paguajnë me rregull faturat e ujit.