Në prag të festave ka filluar shitja dhe përdorimi i mjeteve piroteknike

Me afrimin e festave të fundvitit janë shtuar pikat e shitjes së fishekzjarrëve dhe mjeteve të tjera piroteknike në Tetovë. Pavarësisht se një gjë e tillë është joligjore dhe policia ka shtuar aksionet për kapjen e shitësve, këta të fundit nuk druajnë që këto mjete t’i shesin në sheshin e qytetit.

Mjetet piroteknike më së shumti përdoren nga fëmijët dhe adoleshentët. Si pasojë janë shtuar edhe lëndimet te ta, sikurse djegiet në duar dhe në fytyrë.
“Ballafaqohemi kryesisht me lëndime të ekstremiteteve. Të duarve më shpesh. Pra në këtë periudhë të vitit thirrje të tilla kemi më shumë. Kemi pasur raste me lëndime me djegie të nivelit më të ulët por si ndihmë e shpejtë kemi bë ndihmën e parë dhe e kemi drejtuar për repartet tjera sepse vërtetë disa lëndime kanë qenë më intensive”, deklaroi Beqir Ajruli, urgjencë.

Lëndimet, nuk janë pasojat e vetme nga përdorimi i fishekzjarrëve, por ndodh që të ketë edhe dëme materiale dhe zjarre të mëdha që shkaktohet pikërisht nga fishekzjarrët që hidhen në ajër.
“Kemi pasur raste kur nga përdorimi i mjeteve piroteknike, sidomos raketave fluturuese, e meqë jemi një qytet dhe mbulojmë edhe pesë komuna rurale, pikërisht nga raketat fluturuese vjen deri tek shpërthimi i zjarrit, siç kemi pasur rast. Një rast mund t`iu tregoj se ka qenë fatal kur një person humbi gjithë bagëtinë që kishte në fermë nga një raketë e hedhur në ajër”, u shpreh Uka Aliti, Shef i NJTKZ Tetovë.

Shitja dhe përdorimi i fishekzjarrëve është vepër penale, rikujtojnë nga SPB Tetovë. Zëdhënësi i saj Marjan Josifoski thotë se, për këtë vepër penale, parashikohet dënim me bu*rg, edhe atë nga 3 deri në 10 vite bu*rgim.
“Gjetja dhe plasimi i sasive më të mëdha të mjeteve piroteknike paraqet vepër penale dhe në bazë të nenit 396 nga kodi penal i vendit, parashihen edhe dënime me bu*rg deri në dhjetë vite. SPB Apelon edhe një herë deri tek të rinjtë, shitësit dhe prindërit që të kenë kujdes nga shitja blerja dhe aktivizimi i tyre sepse është në kundërshtim me ligjin, dhe është e paraparë edhe gjobë deri në 500 euro në kundërvlerë denari”, tha Marjan Josifoski, Zëdhënës i SPB Tetovë.

Pak ditë më parë, Sektori i Punëve të brendshme i Tetovës, nga kontrolli i kryer ndaj një makine në pikën për pagesë rrugore në Zhelinë, tek një person janë gjetur dhe konfiskuar 26.000 fishekzjarre, pas çka, drejtuesi i makinës është arrestuar. /AlsatM