Në pesë vjetorin e ndarjes nga jeta të Abdilaqim Ademit në UT u promovua (post mortum) libri “Grafeni”

Në Universitetin e Tetovës, sot u promovua libri (post mortum) “Grafeni – Sinteza, karakterizimi dhe aplikimi” i autorit Abdilaqim Ademi. Ky libër i takon lëmit të nano-teknologjisë dhe nano-materialeve, dhe është edhe disertacioni i doktoratës së të ndjerit. Kjo vepër u botua nga Qendra Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi”.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, në fjalën e tij drejtuar auditorit u shpreh se, Universiteti i Tetovës në mënyrë të vazhdueshme përkrah botimin dhe promovimin e teksteve universitare dhe shkencore të stafit akademik dhe të gjithë studiuesve shkencorë, ku deri më tani kemi botuar dhe ribotuar tekste universitare të paraqitur dhe promovuar në institucionin tonë. “Të gjitha këto botime jenë shtyllë e pashmangshme e afirmimit të punës shkencore të kuadrit akademik dhe shkencorë brenda dhe jashtë Universitetit të Tetovës. Fillimisht, le të ndajmë pak kohë për të kujtuar figurën e Abdilaqim Ademit, i cili përveç se politikan i spikatur ishte edhe një njeri arsimdashës, njeri i shkencës. Pikërisht sot, në këtë tempull të dijes që frymon shqip, ne bëjmë promovimin e librit të cilin ai nuk arriti ta botonte për shkak të ndarjes së parakohshme nga jeta, por që na e la pas si një testament shkencor. Ne e kujtojmë Abdilaqim Ademin si një përkrahës të përparimit të arsimit të lartë në Maqedoni, mik të Universitetit të Tetovës, i cili është i lidhur me historinë e universitetit tonë prej para zyrtarizimit, duke qenë i angazhuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në përpilimin e Ligjit për legalizimin e Universitetit të Tetovës, ndërsa si asistent në Qendrën e Studimeve Politeknike dha kontribut të drejtpërdrejtë në ngritjen e saj. Si ish-ministër i arsimit, e ka nderuar pa hezitim institucionin tonë, duke na u bashkëngjitur në shënimin e ngjarjeve më të rëndësishme të universitetit, duke lobuar në qarqet arsimore dhe shkencore për rëndësinë e avancimit të arsimit në përgjithësi, por sidomos arsimit në gjuhën shqipe. Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, i hartuar në koordinim me udhëhqësinë e universitetit, me të cilin ndryshoi emri i universitetit, nga Universitet Shtetëror i Tetovës në Universiteti i Tetovës, duke u themeluar njëkohësisht edhe Fakulteti Pedagogjik dhe Fakulteti të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë e mban nënshkrimin e tij. Sot, kur gjendemi në prag të finalizimit të konviktit të studentëve të universitetit tonë, nuk duhet harruar se pikërisht në këtë kohë filloi kjo iniciativë”, tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtim Ahmeti.

Ndërsa për sa i takon librit, i cili u promovua sot, ai theksoi se libri është hartuar në përshtatshmëri me të gjitha kriteret e shkrimit të një libri hulumtues dhe shkencor, ndërsa autori gjatë shtjellimit të tekstit në tërësi është përpjekur që t’i shmanget trajtimit klasik të materialit. “Përmbajtja e këtij libri është e ndarë në gjashtë kapituj, ku tek secili prej tyre trajtohen vetitë superiore të grafenit, që sipas shkencëtarëve u emërua si materiali i së ardhmes ose materiali magjik, që ka mundësi për aplikim të gjerë në shumë fusha të shkencës dhe të jetës së përditshme. Sfida dhe rëndësia e këtij libri, disertacioni të doktoratës, qëndron në atë se, kjo metodë është hulumtuar shumë pak në botë dhe rezultatet e fituara janë parësore dhe origjinale në këtë fushë shkencore. Puna individuale e autorit dhe hulumtimet eksperimentale të kryera në kuadër të tezës së doktoratës sqarojnë në detaje modelin për përcaktimin e shtresave të grafenit, si dhe modelin që mundëson llogaritjen e shpërndarjes së trashësisë së grafenit në bazë të të dhënave të XRD. Universiteti i Tetovës i mirëpret të gjithë ata që me vepra të mira kontribuojnë në përparimin e gjeneratave të ardhshme, duke investuar pikërisht në arsim dhe në avancimin e mëtejshëm të njohurive për brezat që vijnë pas”, deklaroi Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtim Ahmeti.
Redaktori i këtij botimi, Prof. Dr. Hamit Mehmeti, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë të Kosovës u shpreh se, sot jemi tubuar në këtë promovim shkencor, për t’u informuar me të arriturat shkencore nga lëmi i nano-teknologjisë dhe të nano-materialeve. “Kësaj radhe, për këtë lloj teknologjie nuk do të mësojmë nga shkencëtarët botërorë, por nga i biri këtij kombi, nga studiuesi i kësaj fushe, Abdilaqim Ademi. Ne të gjithë e kemi njohur Abdilaqim Ademin si njeri i politikës, njeri i sfidave dhe njeri i zgjidhjes së problemeve politike, ndëretnike, ekologjike dhe arsimore, ndërsa, anën shkencore të tij e kanë ditur vetëm rrethi i ngushtë i shokëve dhe i kolegëve të tij. Abdilaqim Ademi ka qenë një arsimdashës i madh, studiues dhe shkencëtar në zanafillë, i cili premtonte shumë, me dashuri të madhe ndaj shkencës dhe me vullnet të pashoq për ngritjen e kuadrove të mirëfillta shkencore, me ide të shumta për realizimin e këtyre dëshirave dhe padyshim që do të arrinte një nga një t’i realizojë, sikur sëmundja e rëndë mos t’ia kishte ndalur hapin”, tha redaktori, Prof. Dr. Hamit Mehmeti.

Në emër të kryetarit të BDI-së, z.Ali Ahmeti, këtë ngjarje e përshëndeti edhe veprimtari nga Kosova Ismet Sulejmani, mentori i autorit të librit, Prof. Dr. Aleksandar Dimitrov, si dhe përfaqësuesi i Qendrës Analitike – Hulumtuese, “Abdilaqim Ademi”, Mr. Pishtar Lutfiu.

Autori i librit që u promovua sot, Abdilaqim Ademi lindi më 20 dhjetor të vitit 1969 në fshatin Shemshovë. Shkollimin fillor e kreu në fshatin e lindjes, më pas e vazhdoi shkollimin e mesëm në Gjimnazin e Tetovës. Studimet i filloi në Mitrovicë, por për shkak të ngjarjeve të asokohshme, studimet i vazhdon në Tiranë, në Fakultetin Politeknik të Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1996 merr titullin Inxhinier i metalurgjisë. Ai po ashtu, pas legalizimit të Universitetit të Tetovës, në vitin 2004 emërohet asistent në Fakultetin e Ndërtimtarisë. Në vitin 2018, në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup i regjistroi studimet pasuniversitare të doktoratës, por nuk arriti ta mbrojë disertacionin. Ndërroi jetë më 16 shkurt të vitit 2018. Ky promovim libri i përmbyll me një pikë instrumentale nga Benjamin Menga dhe Jetmir Mehmedi.