Kuvendi Komunal i Malishevës ka marrë vendim që në fshatin Pagarushë të kësaj komune të ndërtohet një kompleks, i cili do t’i kushtohet mbretëreshës së muzikës shqiptare, bilbilit të Kosovës Nexhmije Pagarushës, shkruan Gazeta “Zëri”.
Vendimi u mor në një mbledhje të jashtëzakonshme të këtij Kuvendi, me votat unanime të anëtarëve që ishin të pranishëm. Bëhet e ditur se emri i këtij kompleksi, që do të zërë vend në fshatin nga e ka prejardhjen këngëtarja e mirënjohur, do të jetë “Baresha”. Ky emër vjen i bazuar në titullin e këngës më të famshme të Nexhimje Pagarueshës, “Bareshës”, e cila këndohet ndër breza.
Rikujtojmë se kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.
Nexhmije Pagarusha është një nga këngëtarët më të vlerësuara shqiptare, e cilësuar shpesh edhe si “Mbretëresha e këngës shqipe”. Ajo ka një karrierë prej rreth katër dekadash gjatë së cilës ka interpretuar mbi 150 këngë. Përveç “Bareshës” disa nga këngët e saj më të njohura për publikun shqiptar janë edhe “Ani mori nuse”, “More testin”, “Një lule” e të tjera.