Ne nuk heshtëm në vitin 2001. Pse duhet të heshtim sot?

14 mars 2001, plot 18 vite që kur krismat nga kalaja e Tetovës paralajmëruan ardhjen e ndryshimit, kthimin e dinjitetit dhe ngjalljen e shpresës për shqiptarët e Maqedonisë. Kjo pjesë e historisë, është e lavdishme nga vetë rezultati i saj, që ishte Marrëveshja Paqësore e Ohrit, me të cilën kishim avancim të statusit politiko – juridik të shqiptarëve në Maqedoni. Edhe kjo fal, gjakut të dëshmorëve dhe djersës së luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Po çfarë ndodhi më pas? Ashtu, sikurse gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptarët luftuan dhe u çliruan nga pushtuesit, politika e pas luftës i la ato në dorën e të ashtuquajturit “pushtet popullor” i cili udhëhiqej nga jugosllavët me parullën e “Bashkim-Vëllazërimit”, e që në fakt ishte nënshtrim i plotë i shqiptarëve. Por çfarë po na ndodh tani? A po na përsëritet historia?
Duke kujtuar 14 marsin e vitit 2001, më dalin përpara syve bashkëluftëtarët, mundi dhe sakrifica, për ti siguruar një jetë me standard dhe dinjitet, gjeneratave të reja, në vendin e tyre pranë familjeve të tyre. Me krenari dhe guxim të pashoq vepruam deri në vetëmohim për këtë ideal. Si përfundim, me të gjithë këtë sakrifice, deri edhe në atë sublimen, duke derdhur edhe gjakun, arritëm një marrëveshje paqe. Kjo marrëveshje, e quajtur Marrëveshje Kornizë e Ohrit, ishte me garanci ndërkombëtare, e cila solli paqe në shtetin tonë. Lojërat politike e zvarritën atë deri në devalvim, për hir të interesave individuale dhe partiake, duke mbajtur peng zhvillimin e vendit.
Sot ndodhemi përpara një rrëfimi pothuajse identik nga ai i pas Luftës së Dytë Botërore. Ne edhe atëherë luftuam për çlirim, kurse nga udhëheqja politike, përfunduam në “Bashkim-Vëllazërim”, sikurse ne që luftuam në vitin 2001 për liri dhe shtet të barabartë, ku ne si shqiptare do jemi bashkë-vendimmarrës për të ardhmen e shtetit tonë të përbashkët, neve udhëheqja politike po na imponon politikën qytetare “shoqëri për të gjithë”, ekuivalent me atë të “Bashkim-Vëllazërimit” të dikurshëm. Ku ne do të jemi aty, por vendimet do i sjell tjetri në emrin tonë dhe për ne, po pa na pyetur e pa respektuar vullnetin tonë.
Përderisa shqiptarët e ndjejnë veten si të tillë dhe kanë ndjenja kombëtare, ata duhet t’i përfaqësojnë politikanët shqiptarë të zgjedhur me votën e tyre, e kur nuk do të ndjehen të tillë atëherë le të përfaqësohen nga të tjerët.
Çlirimi i BDI-së nga komponenta e UÇK-së përmes konceptit qytetar është pikërisht përfaqësimi i shqiptarëve nga të tjerët por pa to.
Çfarë po ndodh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe politik-bërjes konsensuale të komuniteteve etnike? A po shuhet kjo frymë bashkë me shuarjen e Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit? Cila është porosia e kësaj politike? Qëndrueshmëria në heshtje nuk është zgjidhje. Heshtja domethënë mungesë qëndrimi. Ne nuk heshtëm në vitin 2001. Pse duhet të heshtim sot?

Ish anëtari i shtabit të përgjithshëm të UÇK
Zylfi Adili-Qufa