Lu*fta në Ukrainë shkakton dëme kolaterale sidomos në vendet e varfra. Për shkak se çmimi për grurin dhe ushqimet bazë është rritur, njerëzit në vendet e varfra i kërc*ënon uria.
Çmimi për grurin përditë po shënon shifra rekord. Në bursën e derivateve në Çikago, bursa më e rëndësishme për produktet bujqësore, ky çmim tani është 50% më i lartë se para sulmit rus në Ukrainë. Arsyeja për çmimin tani në stratosferë të grurit lidhet me faktin, se të dyja vendet në luftë, Ukraina dhe Rusia janë ndër eksportueset kryesore të grurit në botë.
Pjesa më e madhe e prodhimit botëror të grurit konsumohet aty ku është mbjellë. Pjesa tjetër tregtohet në tregjet ndërkombëtare. “Tek këto tregje Ukraina dhe Rusia kanë së bashku gati një të tretën”, thotë ekonomisti për bujqësinë, Matin Qaim, drejtor i Qendrës për Studimet Zhvillimore, (ZEF) në Bonn për DW.
Rusia është prodhuesja kryesore e grurit në botë. Ukraina zë vendin e pestë. Mes tyre qëndrojnë SHBA, Kanadaja dhe Franca. Sipas Qaim, shumica e drithërave nga Rusia dhe Ukraina eksportohen në verë dhe në vjeshtë. “Pra problemet më të mëdha i kemi përpara.” Lu*fta nuk vështirëson vetëm eksportin e rezervave ekzistuese, por nëse ajo vazhdon gjatë, në Ukrainë nuk mbillet dhe nuk korret në sasinë e duhur prodhimi.
Fermerë egjiptianë
Vendet në zhvillim në varësi
Një situatë e tillë e rrit edhe më shumë çmimin e grurit. Për vendet blerëse një problem i jashtëzakonshëm, sepse mes tyre janë vendet në zhvillim, që janë të varura nga importet e arikujve ushqimorë. “Vendet si Libani dhe Egjipti importojnë pjesën më të madhe të artikujve bazë ushqimorë, shpesh në 70-90%”, thotë Qaim. Edhe Kenia është shumë e varur nga importimi i grurit, ashtu si edhe Turqia.
Uria do të shtohet
Nuk është vetëm gruri, ku Rusia dhe Ukraina kanë një pjesë të madhe tregu në tregjet botërore. Tek misri dhe elbi ato kanë po ashtu një pjesë të rëndësishme, 20% të tregut botëror, tek vaji i lulediellit madje 80%. “Ne shohim rritje çmimesh jo vetëm tek gruri, por edhe tek artikuj të tjerë ushqimorë”, thotë ekonomisti Matin Qaim. Për më të varfrit në vendet në zhvillim kjo do të thotë më shumë uri. “Ata nuk mund të bëjnë gjë tjetër, veçse të ushqehen më pak.” Vërtet që ka disa vende, mes tyre Kina dhe India që kanë rezerva të mëdha “Sigurisht ato mund t’i zvogëlojnë rezervat dhe të rrisin ofertën e grurit”, thotë Qaim, por kjo nuk mjafton për të kompensuar humbjet.
Sanksionet dhe artikujt ushqimorë
Në Rusi edhe më tej po mbillen drithëra e produkte të tjera, por “pyetja që shtrohet është nëse do të mundësojmë eksportimin e arikujve ushqimorë për të penguar një katastrofë humanitare, dëmet kolaterale të luftës në pjesë të tjera të botës”, thotë drejtori i qendrës ZEF, Matin Qaim. Sanksionet kundër Rusisë nuk vështirësojnë vetëm eksportet, por edhe pagesat, sepse disa banka ruse janë përjashtuar nga sistemi ndërkombëtar i pagesave. “Ne duhet të diskutojmë me seriozitet për raste përjashtuese për artikujt ushqimorë”, thotë Qaim. Zhvillimet e tjera varen nga luftimet. Ka një rrezik real, që edhe në Ukrainë të kemi krizë urie, në një vend, që për shkak të tokës kaq prodhuese u quajt edhe “hambari i Europës”./DW/