Në ndeshjen e Championsit “nderohen” sulmuesit e vrarë në Banjskë

Grupi i tifozëve të Crvena Zvezdas, Delije, mbrëmë gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Young Boysit kanë “nderuar” tre sulmuesit e vrarë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Në mesin e pjesës së parë, tifozët nacionalistë serbë ngritën pankarta me emrat e Igor Milenkoviq dhe Bojan Mijailoviq, dy nga tre sulmuesit e vrarë në sulmin e armatosur në veri të Kosovës.

Përveç kësaj, ata kanë vënë në një madhësi më të madhe foton e Stefan Nedeljkoviqit, i cili po ashtu mbeti i vrarë pranë manastirit të Banjskës. Nedeljkoviq ishte një tifoz i madh i klubit të Beogradit.

Ndërkohë, thirrjet “vrite, prite, që shqiptari të mos ekzistojë” si dhe “Kosova është Serbi” kanë qenë të pranishme gjatë gjithë 90 minutave.

Tash mbetet të shihet nëse UEFA do të marrë masa pasi bëhet fjalë për ndërhyrje në çështje politike nga një ngjarje sportive.

Takimi i Crvena Zvezdas dhe Young Boysit përfundoi baras, 2:2.

Në aksionin në Banjskë, për të cilin e mori përgjegjësinë Milan Radoiçiq, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Sulmi është cilësuar terrorist nga Qeveria e Kosovës, BE-ja e SHBA-ja.