Në mungesë të pajisjeve digjitale, nxënësit detyrohen të mësojnë nga libra të fotokopjuar

Zbatimi i konceptit të ri mësimor për arsimin fillor, posaçërisht për klasën e katërt, po përballet me vështirësi të shumta. Ora mësimore duhet të realizohet me libra digjital, mirëpo në mungesë të mjeteve digjitale për mësim, nxënësit e shkollave të caktuara detyrohen të sigurojnë libra të fotokopjuar. Këtë e dëshmojnë edhe pronarët e dyqaneve për fotokopje të cilët thonë se është rritur shumë interesimi për kopjimin e këtyre librave. Ndërkohë, nxënësit që anketuam tregojnë se presin përgjigjen e mësueses nëse dhe kur duhet fotokopjuar librat.

“Libra, a keni bë fotokopje? Jo, por është dashur ti bëjmë me klasën fotokopje. Nuk e di, por kur të na thot mësuesja”.
“Tash mësojmë pa libra sepse nuk ka. Mësuesi na tha nuk do të mësojmë me libra por nga tableti. Filluat të mësoni me tablet? Jo, por do të fillojmë? Kur do të filloni? Nuk e di se kur por na tha se do të fillojmë”.
Siç thanë nxënësit, librat digjital po vështirësojnë edhe realizimin e detyrave të shtëpisë dhe mësimin e njësive të caktuara mësimore.

“A ke tablet ose laptop për mësim? Jo, jo nuk kam. Tani për tani nuk i kemi bë fotokopje, kur të na thotë mësuesja do t’i bëjmë fotokpje. A ka thënë se duhet ti bëni fotokopje? Njëherë na ka thënë pritni se ndoshta ua jep shkolla. Me libra është më mirë dhe më lehtë sepse në libër i kam të gjitha, mundem të lexoj, mundem t’i nënvizoj cilat detyra i kam se me telefon nuk mundem me i bë lehtë”.

Përveç librave digjital, nxënësit e arsimit fillor po përballen edhe me mungesë të librave të shtypur. Dy javë pas fillimit të vitit shkollor shumë nxënës kanë mbetur pa libra ndërsa ata të cilët janë furnizuar kanë marrë libra të grisura e të shkarravitura.