Në MPB s’ka denoncim për akademiken maqedonase që nxiti gjuhën e urrejtjes

“Bashkëjetesën do ta paguajmë me jetë”, kështu shkroi shkrimtarja dhe akademikja Katica Qulavkova në rrjetin social “Twitter”.

Reagime të ashpra pati në rrjetet sociale për këtë shkrim të Qulavkovës, duke e cilësuar të njëjtën si ksenofobike dhe raciste, pasi siç thuhet në shumicën e reagimeve, ajo drejtpërdrejtë ka fajësuar shqiptarët se kanë përkeqësuar situatën me virusin korona. Se shkrimi i Qulavkovës përbën gjuhë të urrejtjes, vlerësoi edhe sociologu Ali Pajaziti.“Statusi i akademikes dhe letrares Katica Qulavkova paraqet një shprehje të racizmit ordiner, një diskurs që nuk i ka hije një intelektuali, që nuk i ka hije një pjesëtari të një elite ndërkohë që përbën një dinamit për bashkëjetesën në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Ali Pajaziti-socilog.

Kritika pati edhe nga radhët e akademikëve shqiptarë. Akademiku Alajdin Abazi e dënoi gjuhën e Qulavkovës dhe u distancua nga qëndrimet e saja.

“Nuk është hera e parë që Qulavkova shpreh urrejtje ndaj shqiptarëve. Sigurisht se ne e dënojmë ashpër këtë shprehje të urrejtjes së saj dhe distancohemi nga ajo. Ajo, Qulavkova nuk meriton as vëmendjen e publikut, por kur merr guximin të shpreh gjuhë të tillë në publik, duhet të dënohet e njëjta”, tha Alajdin Abazi-akademik.

Kanë reaguar dhe partitë politike. Lideri i Alternativës Afrim Gashi thotë se statusi shpreh fashizoidëm pasi aludon se shqiptarët janë fajtor për vdekjen e maqedonasve. “Për fat të keq racizmi nuk manifestohet vetëm përtej Atlantikut. Atë e kemi midis Shkupit dhe, madje, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të shtetit tonë. Të aludosh se shqiptarët janë fajtorë për vdekjen e “racës së dalluar maqedonase”, kjo është hiç më pak se substituim i thirrjes fashizoide për zhdukje të racës që i shkakton fatkeqësi “racës së zgjedhur”, shkroi Afrim Gashi – kryetar i Alternativës.

Ndërkohë zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarë, Flakron Bexheti shprehu se ksenofobia është po aq e rrezikshme sa pandemia e virusit Kovid-19.

“Racizmi dhe ksenofobia është po aq e rrezikshme sa pandemia Covid 19, as për njërën, as për tjetrën nuk ekziston vaksinë mbrojtëse. Në vend të solidarizimit me njëri-tjetrin për t’u përballur me armikun e panjohur, dikush sot don të bëhet e “njohur” me mentalitetin e saj të kalbur e primitiv! Sa turp!”, tha Flakron Bexheti – zëdhënës i ASH-së.

Ndërkaq, askush nuk e ka denoncuar rastin e Qulavkovës në Ministri të Punëve të Brendshme, bënë të ditur nga ky dikaster për TV21.
“Në lidhje me pyetjet tuaj ju informojmë se deri në këtë moment nuk kemi marrë denoncim”, thonë nga MPB.

Qulavkova e tërhoqi shkrimin dhe tha se s’ka asgjë personale, por statusi i saj u dokumentua dhe u dënua ashpër nga të gjitha etnitetet.