Në matematikë, nga 58 shtete, nxënësit tanë janë renditur në vendin e 44-të

Në lëndën e matematikës, nga 58 shtete, nxënësit tanë janë renditur në vendin e 44-të. Në shkencat natyrore jemi tre vende më poshtë, konkretisht në vendin e 47-të. Këto janë rezultatet e testimit ndërkombëtar TIMSS (Trends in International Mathematics and Science Study) të realizuar në vitin 2023, për herë të pestë në vendin tonë. Testimi u krye me nxënësit e klasës së katërt, në gjuhën maqedonase dhe shqipe, për herë të parë në mënyrë elektronike, njoftoi sot Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh).

Ata theksojnë se ky studim ndërkombëtar krahasues ka treguar se sistemi ynë arsimor ka nevojë për ndryshime të mëdha që nxënësit tanë të mund të përmirësojnë njohuritë e tyre.

– Prandaj, ne veprojmë në të gjitha segmentet e arsimit, duke filluar nga arsimi fillor, gradualisht dhe në konsultim me të gjithë aktorët e përfshirë. Kemi njoftuar dhe realizojmë që në një numër gjithnjë e më të madh shkollash, qëndrimin e zgjatur në shkollë, si mundësi për aktivitete më shumë mësimore dhe jashtëmësimore, përvetësim më të mirë të materialeve, fitim të aftësive të reja dhe zhvillim të interesave. Përmes procesit të optimizimit, po ndërtojmë një rrjet shkollash efikas, që do të sjellë suksesin më të mirë të nxënësve me përdorim të arsyeshëm të burimeve. Po reformojmë arsimin e gjimnazit, po zgjeron konceptin e arsimit dual dhe po zhvillojmë qendra të reja rajonale për arsimim dhe trajnime profesionale. Mësuesit vazhdojnë me trajnime serioze, sepse ata janë baza e gjithë sistemit edukativ, thuhet në njoftimin.

Nga MASH informojnë se përmirësimi i rezultateve të shtetit në testet ndërkombëtare do të vijë vetëm si rezultat i përmirësimit real të cilësisë së tërë sistemit edukativ dhe për këtë punojmë vazhdimisht.

TIMSS (Trends International Mathematics and Science Study) është një studim ndërkombëtar që mat arritjet e nxënësve në matematikë dhe grupin e lëndëve shkencore (shkencat natyrore, fizikë, kimi, biologi), si dhe faktorët që ndikojnë në këto arritje.

Në nivele ndërkombëtare, Singapori mban vendin e parë në shkrimin matematikor dhe shkencë.