Në Maqedoni shtohen rastet e sëmundjeve si pasojë e mbipeshës

Në Maqedoni mbi 60 për qind e pacientëve vdesin si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare, që për bazë kanë kequshqyerjen dhe mungesën e aktiviteteve fizike.

Mjeku Aleksandar Mitrov thotë se qytetarët e Maqedonisë mbipeshën për fat të keq akoma e konsiderojnë si problem estetik apo kozmetik.

“Problem serioz është fakti që numri i pacientëve të prekur nga sëmundjet kardiovaskulare është në rritje. Në Maqedoni në bazë të të dhënave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, fajtor kryesor që shkakton vdekjen e mbi 60 për qind të pacientëve, janë sëmundjet kardiovaskulare që ndërlidhen me mbipeshën . Le t’i krahasojmë këto të dhëna vetëm me Francën si shtet ku atje 25 për qind e pacientëve vdesin si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare”, thotë Mitrov.

Nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë në tetor të vitit të kaluar me rastin e Ditës Botërore të Ushqimit, paralajmëruan se në bashkëpunim me inspektoratin përkatës do të përkushtohen për të përmirësuar shprehitë, por edhe gjendjen e përgjithshme sa i përket ushqyerjes së shëndetshme.

Ndërkohë, mjekët thonë se Inspektorati për ushqim duhet të bëjë kontrolle më të rrepta sa i përket produkteve të pranishme në dyqane, me ç`rast shpesh gjenden produkte me prani të shtuar të sheqerit, si dhe yndyrave të ngopura për çka qytetarët pak janë të informuar.

Bekim Ismaili, mjek, i cili ka realizuar dhe një hulumtim bashkë me një ekip të mjekëve amë, për Radion Evropa e Lirë thotë se faktorët kryesorë sa i përket shfaqjes së mbipeshës që është shkaktar i shumë sëmundjeve, është mënyra e jetesës, përkatësisht mungesës së aktivitetit fizik dhe konsumimit të ushqimeve jo të shëndetshme.

“Mënyra sedentare që do të thotë mosaktiviteti fizik, është faktori kryesor që shkakton mbipeshën. Me rritjen e teknologjisë, e dimë se veçanërisht fëmijët qëndrojnë para telefonave celularë, kompjuterëve apo mjeteve tjera teknologjike. Pastaj, paraqet shumë problem edhe ushqimi, të cilin e kemi të modifikuar dhe për fat të keq shohim se inspektorati që duhet të bëjë kontroll për cilësinë e ushqimit, nuk është në detyrë sa duhet”.

“Pastaj, ngrënia e ushqimeve të konservuara, për të cilat nuk mund të thuhet me garanci se sa janë kualitative. Pra si mjek çdo herë rekomandojmë të hahen ushqime të freskëta dhe prodhime sezonale”, pohon Ismaili.

Nga ana tjetër, Igor Spiroski, i cili është bashkëpunëtor në koordinimin e aktiviteteve të Ministrisë së Shëndetësisë në Maqedoni, me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, thotë se duhet punuar më shumë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve rreth faktorëve që shkaktojnë mbipeshën.

Për Spiroskin, më problematike është mbipesha, e cila gjithnjë e më shumë është e pranishme te fëmijët.

“Veçanërisht shqetësuese është mbipesha që është gjithnjë më e pranishme te fëmijët. Ky problem që nga fëmijëria përcillet edhe në moshën madhore përgjatë tërë jetës”, deklaron Spiroski, sipas të cilit, shumë pak krijohen shprehi për aktivitete fizike, më shumë kjo shihet si modë apo trend i kohës, sesa si nevojë për të pasur një jetë të shëndetshme.

Ekspertët në lëmin e shëndetësisë thonë se mënyra e të ushqyerit, si dhe orari i konsumimit të tri vakteve të paktën, luajnë një rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin dhe funksionimin normal të organizmit, por kjo është e lidhur në formë të drejtpërdrejtë dhe me standardin e jetesës.

Ndryshe, përbërja e kaluar qeveritare ka shpenzuar qindra mijë euro në fushatë për sensibilizimin e opinionit të krijojë shprehi për ushqyerje të shëndetshme, por ekspertët thonë se në treg gjithnjë e më pak gjejnë ushqime kualitative për shkak se Inspektorati nuk e kontrollon mënyrën e kultivimit të perimeve dhe pemëve që në shikim të parë në treg për konsumatorët duken të shëndetshme.