Në Maqedoni deri tani ka 852 persona të shëruar, në gjashtë qytete s’ka raste aktive

Momentalisht në vend ka 572 raste aktive me coronavirus. Deri tani janë shëruar 852 persona, dhe humbën jetën 82 të tjerë.

Nga 16.997 testime për Covid-19, 1506 raste rezultuan pozitiv për Covid-19, njofton Telegrafi Maqedoni.

Tani më në gjashtë qytete, duke përfshirë Dibrën, Strumicën, Gjevgjelinë, Probishtipin, Radovishin dhe Demir Hisarin nuk ka raste aktive me Covid-19.

Gjatë ditës së djeshme, ISHP-ja regjistroi 45 të shëruar, një të dekur dhe 15 të infektuar të rinj ndërsa në Klinikën për Sëmundje Infektive për herë të parë që nga epidemia, në 24 orë, nuk ka pacientë të rinj apo të dyshuar me Covid-19.

Gjatë ditëve të fundit kemi më tepër persona të shëruar se sa raste të reja me coronavirus.

Që nga fillimi i epidemisë, në Dibër u regjistruan 51 raste ku 47 prej tyre u shëruan dhe 4 persona humbën jetën. Në Radovish dhe Gjevgjelia kishte nga 4 raste, në Strumicë dy, në Probishtip 2, kurse në Demir Hisar një rast. Në këto qytete nuk ka të vdekur nga Covid-19, ndërsa të gjithë të infektuarit tashmë janë shëruar.