Në Klinë, karantinohen familjet që kanë pasur kontakte me italianen e prekur nga koronavirusi

Disa familje nga Klina që kanë pasur kontakte me shtetasen italiane që është konfirmuar me koronavirus do të vendosen në karantinë.
KALLXO.com raporton se shtetasja italiane, e cila punonte në një kamp të një organizate humanitare në Klinë, kishte arritur në Kosovë para pesë ditësh.

Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Klinë, dr. Hekuran Sejdiu, ka shpjeguar se janë identifikuar të gjithë personat që kanë pasur kontakt me shtetasen italiane dhe të gjithë janë duke u kontaktuar për t’u vendosur në karantinë.

“Jemi së bashku me policinë dhe me institutin (Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik) duke i vendosur në karantinë, në shtëpitë e tyre, këta persona”, ka thënë Sejdiu.
Dr Sejdiu ka treguar se italianja ishte paraqitur së pari në këtë qendër, por është dërguar në Qendrën Klinike Universigtare të Kosovës në Prishtinë, pasi është dyshuar se mund të jetë infektuar me koronavirus.