Në këto vende do të lejohet pikniku për 1 Maj!

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Kroaci, Krunoslav Capak gjatë ditës së djeshme deklaroi se me rastin e Ditës së Punëtorit-1 majit, qytetarët do të mund të realizojnë “ritin” tradicional të skarës, por duke respektuar distancën sociale.

“Skara është e lejuar, por distanca fizike duhet të respektohet. Mundet të mblidheni me familjarët, por nuk lejohet të mblidhen një numër i madh njerëzish, sepse ndalesa për mbledhje të më shumë se pesë personave është ende në fuqi”, tha Capak për RTL.

Sipas agjencisë së lajmeve Hina, qytetarët pritet të zbatojnë të gjitha masat e përcaktuara nga autoritetet sepse deri më tani ata kanë treguar vetëdije dhe përgjegjësi, kjo është arsyeja pse është arritur sukses në luftën kundër virusit.

“Situata e mirë epidemiologjike, rezervat e mëdha në sistemin e kujdesit shëndetësor, na japin mundësinë për të zbutur masat e karantinës të vendosura para një muaji. Ne kemi vendosur ta bëjmë këtë në faza, dhe faza e parë do të fillojë nesër”, pohoi Capak të dielën.