Në këtë vend ju ndalohet të flisni për koronavirusin, kjo është arsyeja

Në një lokal në periferi të Romës është e ndaluar rreptësisht të flitet rreth koronavirusit. Mbi banak është shkruar një mesazh mjaft i qartë: ‘’Të gjitha bisedat mbi virusin, izolimin apo virologjinë janë të ndaluara.’’ Sipas menaxheres së barit Cristina Mattioli, qëllimi i kësaj nisme është shkëputja e klientëve nga pandemia globale vetëm për pak kohë teksa konsumojnë kafe.

Për të ndihmuar në shpërqëndrimin e tyre, është vendosur një poster në të cilin janë shkruar tematika të ndryshme bisedash, përfshirë historinë dhe kulturën.

Dhe çfarë ndodh nëse klientët fillojnë të diskutojnë padashur kurbat eksponenciale ose një vaksinë të mundshme? “Nuk ka sanksione, por unë u tregoj atyre posterat,” thotë Mattioli.

Si vendi i parë europian i goditur nga pandemia, Italia ka qenë në hijen e Covid-19 për një kohë më të gjatë se vendet e tjera dhe ka përjetuar një nga izolimet më të ashpra. Ndonëse situata u lehtësua disi në verë ku jeta u kthye thuajse në normalitet, vendi po përjeton valën e dytë të pandemisë.