Në këmbë nga Austria në Mekë, për të rigjetur besimin e humbur

Ka bërë 650 km deri tani, nga 6600 gjithsej, në rrugën drejt Zotit. Enver Beganoviç, 52 vjeç, do të ecë rreth 6600 kilometra për të arritur në Mekë nga Austria ku jeton, për të kryer Haxhin, i cili bie në verë.

Ai deri më tani ka bërë rreth 650 kilometra. Beganoviç thotë se ai e ka vizatuar vetë rrugën dhe se do t’i duhen të paktën shtatë muaj e shtatë ditë për të arritur qëllimin e tij.

“Bëra një plan udhëtimi dhe i zgjodha vetë rrugët. Po kaloj nëpër disa vende të ish-Jugosllavisë; u ndala në Cazin, ku linda, shkova në Istria ku vizitova nënën dhe të afërmit, do kaloj në 12 shtete. U nisa nga Austria, duke kaluar nëpër Slloveni, Kroaci Bosnje. Tani jam në Serbi, pastaj do kaloj në Maqedoni, Bullgari, Turqi, Irak e kështu me radhë deri në Mekë”, tha Beganoviç dhe shtoi se nuk e shqetësojnë temperaturat nën zero.

Beganoviç thotë se për këtë lloj udhëtimi është përgatitur për një gjysmë viti dhe se në ditë kalon nga 35 deri në 60 kilometra, varësisht nga kushtet atmosferike.