Në karantinë shtetërore momentalisht ndodhen …

Sot në vend nuk është kthyer asnjë shtetas nga jashtë ndërsa kthim nuk pritet të ketë as në dy ditët e ardhshme. Të fundit që u kthyen janë 180 shtetasit të cilët dje arritën nga Italia dhe u vendosën në Karantinë shtetërore në Strugë. Deri më sot, në karantinë shtetërore janë vendosur gjithsej 3032 shtetas që janë kthyer prej jashtë vendit. Ndërsa gjatë fundjavës, 840 prej tyre e kanë lëshuar karantinën dhe ndodhen në vetë-izolim shtëpiak. Alsat kontaktoi me tre persona që kanë lëshuar karantinën shtetërore. Avni Bilali nga Batinca e Shkupit, ka qenë i vendosur në karantinë shtetërore në Strumicë, pasi para tre javësh është kthyer nga Zvicra.

“Kemi pasur kontrolle edhe para se të hyjmë edhe një ditë para se të dalim. Atë ditë kemi pasur kontrolle më të mëdha, do të thotë për çdo simptomë të mundshme na kanë kontrolluar mos e kemi, por për fat të mirë të gjithë që kemi ardhur atë ditë prej Zvicre dhe prej Gjermanie, sa e kuptova unë askush nuk ka qenë i infektuar. Sot është dita e katërt që jemi kthyer prej karantinës. Edhe në shtëpi i kemi 14 ditë”, tha Avni Bilali – Batincë.

Karantinën shtetërore e kanë lëshuar edhe Boshko Veljanovski dhe Vedat Canovski nga Struga. Ata thonë se në kontrollet mjekësore që u janë bërë para se të dalin, nuk kanë pasur simptoma se janë të infektuar me virusin. Por po qëndrojnë në vetë izolim.

“Këtu në afërsi, rreth 200 – 300 metra nga hoteli kam banesë, është e prindërve të mi që nuk e shfrytëzojnë, e tani jam në vet izolim në banesë. Këtu i kam të gjitha kushtet. Para se të vijë prindërit më sollën gjëra, ndërsa në ndërkohë porosis dhe më sjellin para derës gjithçka që më duhet”, u shpreh Boshko Veljanovski – Strugë.

“Jemi në shtëpi në vetë izolim. Për shkak se nuk duam me familjen të rrimë edhe pakë. Edhe nja një javë, doktoresha na rekomandoi që të rrimë anash edhe të paktën një javë, pasi jemi mirë jemi të shëndoshë”, theksoi Vedat Canoski – Strugë.

Ndërkohë, Qeveria sot ka bërë thirrje publike për të organizuar fluturime çarter në relacionin Shkup-Stamboll-Shkup për 180 udhëtarë. Ky fluturim do duhet të bëhet mes datave 21 dhe 24 prill./Alsat