Në Haraçinë është gjetur një arsenal armësh – vazhdon aksioni i MPB-së që filloi të dielën

Policia mbrëmë ka zbuluar një sasi të konsiderueshme armësh, përfshirë pushkë dhe pistoleta, të fshehura në një objekt në fshatin Haraçinë të Shkupit, kanë raportuar disa media.
Arsenali i armëve që është konfiskuar është pjesë e një aksioni më të gjerë të MPB-së, i cili ka për qëllim shtypjen e grupeve të dhunshme kriminale që operojnë në disa lokacione në të gjithë vendin.

Aksioni filloi të dielën dhe vazhdoi edhe sot me një prani të shtuar policore.
Deri më tani janë kryer bastisje në 30 lokacione, nga të cilat 28 në Shkup dhe dy në Veles, ku, përveç armëve, janë konfiskuar një shumë e konsiderueshme parash dhe prova të tjera.
Janë arrestuar shtatë persona për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara se janë të lidhur me grupe kriminale.
Sipas informacioneve nga MPB-ja, aktivitetet aktuale janë të fokusuara në zgjidhjen e disa vrasjeve të pazgjidhura që kanë shqetësuar opinionin publik.
Me këtë aksion, policia dërgon mesazh se nuk do të ketë tolerancë për grupet kriminale dhe ndikimin e tyre në shoqëri.