Në Gjermani, shqiptarët marrin me qira hotelin me 48 dhoma dhe kultivojnë kanabis

Dy shqiptarë kanë dalë para një gjykate gjermane për shkak se akuzohen për kultivim kanabisi. “Aktivitetet e pazakonta” në “Haus Bergmann” në Bismarckstrasse kishin tërhequr vëmendjen e policisë nëntorin e kaluar. Në fund, hetuesit zbuluan 1500 bimë kanabis në një ish-hotel. Sipas mediave gjermane të arrestuarit janë 32-vjeçari Erblin S. dhe Eugert Q. 21-vjeç.
Vendimi përfundimtar për ta pritet të merret më 1 qershor. Njëri nga të akuzuarit thuhet se e kishte marrë me qira pronën. Më 1 mars 2021, të akuzuarit thuhet se kanë filluar rritjen e bimëve të kanabisit në 15 dhoma të përgatitura posaçërisht. Në fund, plantacioni mësohet se është shtrirë në të 48 dhomat e ish-hotelit. Edhe dhoma e “bowlingu-t” në bodrum thuhet se është shndërruar në “kopsht”.

Nëse do të kishte sukses, shqiptarët do të merrnin mbi 125 kg mariuhanë dhe do të fitonin mbi 1 milion euro.

Ajo që ka shokuar opinionin në Gjermani është se si mund të qëndrojë një plantacion i tillë nën radarin publik për muaj të tërë? Në mes të qendrës së qytetit, i rrethuar nga ndërtesa banimi dhe fqinjë të vëmendshëm?
Kushdo që e njeh skenën e di se “shtëpitë e barit” drejtohen me shpenzime të mëdha. Vaska dhe dheu për bimët, teknologji e gjerë për ndriçimin dhe ajrosjen – e gjithë kjo mund të ketë kushtuar mijëra euro.

Plantacione të tilla zakonisht operohen në zona komerciale për të shmangur vëmendjen e publikut, por shqiptarët kishin rrezikuar.