Në Dibër katër raste të reja me Kovid-19

Rritet numri i të infektuarve me Kovid-19 në komunën e Dibrës, e cila ishte vatra e parë e sëmundjes.

Në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe katër raste të reja me çka numri i tërësishëm i të diagnostifikuarve me Kovid-19 u rrit në 96, prej tyre tre nga komuna Qendra e Zhupës.

“Nga numri i tërësishëm i personave të infektuar, 45 janë nga vala e dytë e pandemisë, e cila na u kthye më 5 qershor pas pesëdhjetë ditëve. Tani klaster i veçantë është se të sëmurët i përkasin popullatës së re. Nga 45 personat e sëmurë, 1 është shëruar, ndërsa 44 të tjerët janë aktivë të sëmundjes, prej të cilëve sërish shtatë janë hospitalizuar në institucionet shëndetësore në Shkup, deklaroi kryetari i komunës Hekuran Duka, i cili udhëheq edhe me Shtabin operativ komunal.

Ai në emër të shtabit, i cili vazhdimisht e analizon gjendjen dhe ndërmerr masa adekuate, sërish dërgoi apel te të gjithë t’i respektojnë masat dhe protokollet e parashikuara nga kompetentët, sepse “arsyeja kryesore për paraqitjen e sërishme, e cila çdo ditë bëhet gjithnjë e më brengosëse, është pikërisht mosrespektimi i tyre”.

Ndryshe, në fazën e parë të pandemisë kur ishin regjistruar 51 të sëmurë, 47 prej tyre u shëruan ndërsa betejën me virusin e rrezikshëm e humbën katër persona.

Fshehtësi publike është se një numër i madh i qytetarëve nuk e respektojnë masën për mbajtje të maskës mbrojtëse, që konfirmojnë edhe të dhënat se rritet numri i gjobave në para.

Në 24 orëshin e fundit nëpunësit policor nga Reparti për punë të brendshme në Dibër, kanë dhënë 10 ndërsa në ditët e fundit pesëdhjetë urdhëresa pagesore kundërvajtëse.