Si mund të dihet nëse një person është prekur nga COVID-19? Përgjigja e duhur është ende e panjohur, sepse kjo varet nga fakti nëse i infektuari është i vaksinuar apo jo, nëse është fjala për mutacionin e virusit, nëse pacienti është i moshuar apo i ri, dhe me shëndet të mirë ose jo.
Në fillim të vitit 2020, kolla e thatë dhe ethet ishin simptoma të qarta të prekjes nga sëmundja COVID-19. Megjithëkëtë, nëse shfaqen dhimbjet e kokës dhe të gjymtyrëve atëherë bëhej fjalë për grip. Teshtimë, rrjedhje hundësh dhe dhembje fyti – për fat të mirë vetëm një ftohje.
Në këtë mënyrë – pak a shumë të thjeshtëzuar – mund të përshkruhet interpretimi i simptomave në fillim të pandemisë, ka shkruar transmetuesi gjerman i lajmeve, Deutsche Welle.
Porse më vonë u shfaq simptoma e humbjes së shqisës së nuhatjes dhe shijimit – një tregues ky pothuajse 100 për qind i qartë i infeksionit me SARS-CoV-2. Dhe, kjo vlen ende.
Mirëpo, ndryshe është me të gjitha simptomat e tjera. Ato kanë ndryshuar disi rrjedhshëm.
“Po përpiqemi që t’i gjejmë ato duke përdorur biomarkerë dhe të njohim modelin bazuar në grupet e gjakut. Për më tepër, ato mund të ndryshojnë në varësi të faktit nëse personi me COVID-19 tashmë është vaksinuar, nëse është fjala për ndonjë mutacion të virusit, nëse pacienti është i moshuar apo i ri, si dhe me shëndet të mirë ose jo”.
Një studim që ende po vazhdon në Mbretërinë e Bashkuar ka shpalosur të dhëna të reja lidhur me simptomat. Në studimin e “Zoe COVID Symptom”, personat e infektuar i raportojnë simptomat e tyre nëpërmjet aplikacionit. Bazuar në këtë del se ato kanë ndryshuar theksueshëm, gjë që mund të jetë (jo domosdo) pasojë e variantit Delta, i cili tani përbën 99 për qind të infeksioneve në Mbretërinë e Bashkuar (bazuar në të dhënat e siguruara deri më 12 korrik). Në vijim, Deutsche Welle numëron grupet e ndryshme të të prekurve dhe simptomat.
Cilat janë simptomat më të shpeshta te të vaksinuarit?
Në parim, edhe personat e vaksinuar, por edhe të pavaksinuarit, kanë raportuar simptoma të ngjashme të COVID-it, sipas ueb-faqes.
“Megjithëkëtë, të vaksinuarit kanë raportuar simptoma më të pakta që zgjasin më shkurt, në atë që sugjeron se ata kanë forma më të lehta të sëmundjes dhe shërohen më shpejt”, thuhet në tekstin e publikuar nga ueb-faqja.
Siç është bërë e ditur ndërkohë, të vaksinuarit gjithashtu mund të infektohen me koronavirus. Por, të dhënat konfirmojnë se ata zakonisht zhvillojnë simptoma të lehta. Dhe, vaksina i parandalon rastet e rënda apo edhe vd*ekjet nga COVID-19.
Sipas të dhënave të siguruara nga DW-ja, renditja e simptomave të COVID-19 pas dy vaksinave të marra fillon me kokëdhembje, rrjedhje nga hunda, ndezja e fytit për të vazhduar me teshtimë dhe humbjen e shqisës së të nuhaturit.
Krejt këto u ngjasojnë simptomave të një ftohjeje të zakonshme. Interpretimi i gabuar i tyre mund të jetë i papërshtatshëm dhe është krejtësisht i mundshëm, andaj dhe i hap rrugë përhapjes masive të variantit Delta në Mbretërinë e Bashkuar.
Cilat janë simptomat më të zakonshme te të pavaksinuarit?
Disa simptoma nga fillimi i pandemisë janë ende të pranishme, porse ka pasur disa ndryshime në listën që tani përfshin kokëdhembjen, ndezjen e fytit, rrjedhjen e hundës, ethet dhe kollën e vazhdueshme.
Humbja e shqisës së të nuhaturit ka rënë në pozitën e nëntë të listës së simptomave, teksa gulçimi është radhitur krejt poshtë, në pozitën e 30-të, ka raportuar DW.
Këto specifika mund të tregojnë se simptomat e njohura më parë ndryshojnë, ndërsa edhe vetë virusi ndërron formë.
Virologu gjerman, Christian Drosten, thirret po ashtu në rezultatet e studimit dhe deklaratën e Tim Spectorit, epidemiolog dhe udhëheqës i studimit ZOE. Ai beson se një pikë e rëndësishme nuk përmendet në diskutimin e simptomave në media.
“Pamja e përgjithshme e simptomave ka ndryshuar sepse të moshuarit tani po vaksinohen dhe se të rinjtë po infektohen”, ka theksuar ai.
Mes të rinjve, simptomat zakonisht aludojnë në një infeksion të ngjashëm me gripin, duke u manifestuar me dhembje koke, dhembje fyti dhe temperaturë të ngritur trupore.
“Kolla, e cila ishte aq tipike te pacientët e moshuar, tani regjistrohet pak”, ka thënë Drosten.
Ai pretendon se këto ndryshime do t’ia atribuonte më pak variantit Delta dhe më shumë faktit që të rinjtë preken gjithnjë e më shpesh, ngase të moshuarit janë më të vaksinuar.
“Mendoj se thjesht duhet pritur derisa të publikohet diçka me të vërtetë shkencore”, ka tërhequr ai vërejtjen.
“Mos thoni ‘është ftohje e thjeshtë’”
Nëse ekziston dyshimi për infeksion, testimi dhe mbajtja e distancës janë gjithmonë vendime të duhura, kanë thënë Tim Spector dhe Christian Drosten.
“Mendoj se ky ishte qëllimi i paralajmërimeve të lëshuara për popullatën, veçanërisht atë më të re që është tani duke u infektuar – kini kujdes edhe nëse nuk ndiheni shumë të sëmurë. Nuk duhet të mendoni vetëm: ‘Mirë, është thjesht një ftohje’”, thotë Drosten për DW-në.
Një studim i fundit nga Universitetit për COVID-19 në Gutenberg të Mainzit, ka treguar se më shumë se 40 për qind e të gjithë të infektuarve nuk e dinë se janë prekur apo se e kanë pasur ndonjëherë koronavirusin.
Autori i studimit, Philip Wild, ka konfirmuar se nuk duhet të hiqet dorë nga testimi, edhe pas vaksinimit.
“Kjo është një masë e rëndësishme për monitorimin e dinamikës së pandemisë”, ka theksuar ai.
Kujdesi nuk është opsion, por detyrim – pavarësisht nëse jeni vaksinuar apo jeni shëruar.
Studimi i Gutenbergut ka treguar se masat kundër koronavirusit janë efektive – mbajtja e distancës, kujdesi për higjienën e duarve, mbajtja e maskës brenda dhe ajrimi adekuat.