Ndryshohet protokolli për hyrje në terminalet e aeroporteve të Maqedonisë

Në aeroportet e shtetit prej mbrëmë në orën 21 hyrja në ndërtesat e terminaleve të aeroporteve është e lejuar vetëm nëse tregojnë: certifikatë për vaksinim të bërë kundër Kovid-19, gjegjësisht të kenë marrë të paktën dozën e parë të vaksinës, ose certifikatë/vërtetim se kanë kaluar Kovid-19 gjatë 45 ditëve të fundit, duke e llogaritur nga dita e shërimit ose vërtetim mjekësor me rezultat negativ nga testi PCR jo më i vjetër se 72 orë, ose test të shpejt jo më të vjetër se 48 orë, para hyrjes.

Kjo nuk ka të bëjë për personat nën 18 vjet. Në njoftimin për udhëtarët në ueb-faqen e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit është bërë e ditur se është bërë ndryshim i Protokollit të TAV Maqedoni për menaxhim me aeroportet në kohë të pandemisë.

“Në bazë të Vendimit të Qeverisë për ndryshime të Vendimit për rekomandime parandaluese, masave kohore, masave të urdhëruara, protokolleve të qëllimshme, planeve dhe algoritmeve për veprim për mbrojtje të shëndetit të popullatës nga sëmundja ngjitëse COVID-19 e shkaktuar nga virusi Sars-Cov-2, rastet dhe periudha kohore e zbatimit të tyre është bërë ndryshim i Protokollit të TAV Maqedoni për menaxhim me aeroportet në kohë të pandemisë”, thuhet në njoftim.

Nga TAV Maqedoni u bëjnë thirrje udhëtarëve që t’i respektojnë masat parandaluese kundër Kovid-19 të cilat zbatohen në ndërtesën e terminalit të aeroportit.
“Vazhdimisht mbani maskë mbrojtëse, mbani distance fizike, shpesh dezinfektoni duart, praktikoni teknologji pa kontakt për përfundimin e procedurave në aeroport”, porositin nga TAV Maqedoni.