Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Pendarovski: Nuk do t’i nënshkruaj nëse nuk ka përmirësime

Presidenti, Stevo Pendarovski, paralajmëroi se nuk do ta nënshkruajë Kodin Zgjedhor me të cilin kërkohen nënshkrime nga 2 për qind prej zgjedhësve në komuna që kandidatët e pavarur të mund të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Pendarovski shton se nëse në Kuvend miratohen ndryshimet, ai nuk do t’i nënshkruajë, sepse pamundësohet hyrja e subjekteve tjera në skenën politike. Pendarovski shtoi se ndryshime para zgjedhjeve do të nënshkruante vetëm nëse ekziston konsensus i përgjithshëm i cili për momentin nuk ekziston.

“Nuk ka logjikë që unë si kryetar dhe organ më i lartë në shtet të kandidohem me 10.000 nënshkrime, dhe aq nënshkrime të sigurohen edhe për këshilltar në Qytetin e Shkupit. Rekomandimi i OSBE-ODHIR është deri në 1 për qind. Nuk mundet zgjedhjet të shpallen më 6 gusht dhe dy ditë para asaj të miratohen ndryshimet.”,- tha Pendarovski. Nga VMRO-DPMNE të vendosur që në zgjedhje të aplikohet sistemi Finger Print, për të cilin thonë se është i rregulluar me ligj.

“Sa i përket pranimit apo mos pranimit të finger print për zgjedhjet e ardhshme ajo nuk është çështje dëshire se nëse Zoran Zaev dëshiron apo jo ,apo nëse dëshiron apo jo VMRO-DPMNE, ajo është çështje e ligjit, ka hyrë në ligj dhe zgjedhjet patjetër duhet të mbahen me aparaturën për shenjat e gishtërinjve. Ajo është në ligj, i votuar në Kuvend dhe këtu nuk ka se çfarë të diskutohet.”,- tha Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE. Sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor kryeparlamentari, Talat Xhaferi, nuk precizoi se a do të arrihet të miratohen para pushimeve verore të deputetëve që fillojnë me 1 gusht, por shtoi se ka gjasa që deputetët të mblidhen gjatë vikendit. Xhaferi nuk e përjashtoi as mundësinë për ndryshimet të vendoset pas pushimeve verore.

Ai më tej shtoi se Komisioni për sistem politik duhet t’i shqyrtojë amendamentet që janë më shumë se 700 dhe formalisht të rregullta.
Partitë më të vogla parlamentare reaguan për pragun prej 3 për qind për listat e hapura, për shpërndarjen e parave dhe hapësirën reklamuese dhe kërkuan ndryshimet të mos miratohen me forcë. Reagime shtesë kishte edhe për pragun prej 2 për qind për listat e pavarura sepse u shkurtohet e drejta të marrin pjesë në procesin zgjedhor.